Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
SPECIALE/ A mund të ndalet virusi? Përpjekja globale kundër Covid-19
nga Matthias Bartsch, Uwe Buse, Lukas Eberle, Georg Fahrion, Jan Friedmann, Johann Grolle, Veronika Hackenbroch, Marc Hujer, Martin U. Müller, Fritz Schaap
Një trokitje në derë në ditën e 10-të të karantinës që i bëri Jerri dhe Mark Jorgensen të frikësoheshin se tani mund të ishte radha e tyre për të kaluar në anën tjetër- nga udhëtarë të shëndetshëm të Diamond Pricess, tek të infektuarit dhe të sëmurët. Te ata që ishin ndarë nga bashkëshortët dhe familjet e tyre dhe u dërguan në spitale brenda dhe përreth Yokohama-s. Te ata që shpresonin se përvoja e tyre me koronavirusin e ri nuk do të ishte e rëndë.
Trokitja nuk ishte një ogur i mirë.
Tri ditë më parë, dy japonezë, një burrë dhe një grua, kishin hyrë në kabinën e çiftit të martuar. Ata kishin veshur rroba mbrojtëse, maska për fytyrën dhe doreza dhe morën mostra nga fyti i dy Jorgensenëve para se të zhdukeshin përsëri. Ata nuk flisnin shumë: Vizitorët dukej se dinin aq anglisht sa edhe Jorgensenët mund të flisnin Japonisht.
Dy amerikanët nga shteti i Utah ishin natyrisht të shqetësuar për çka do të zbulonin rezultatet e testimit. Jerri Jorgensen kishte disa ditë që nuk ndihej mirë, por ajo vazhdonte t'i thoshte vetes se nuk ishte gjë. Të paktën asgjë të lidhur me virusin e çuditshëm.
Ajo ishte më e shqetësuar për burrin e saj. Mark Jorgensen ndihej mirë, por kishte dy veshka të transplantuara dhe kishte marrë ilaçe që nga operacioni për të ndikuar sistemin imunitar, në mënyrë që trupi të mos i refuzonte organet e reja. Jerri dhe Marku ishin plotësisht të vetëdijshëm se një infeksion koronavirusi mund të ishte vdekjeprurës për të.
Jorgensenët hapën derën dhe përsëri u gjendën përballë dy personave të veshur kokë e këmbë me veshje mbrojtëse. Ata bartnin lajme të këqija: Testi i Jerrit ishte pozitiv.
Ajo do të dëshironte të kishte kohë për të paketuar një qese të vogël, por dy punonjësit shëndetësorë i thanë që nuk mundej. U lejua të merrte vetëm një paketë ditore me gjërat thelbësore. Pas pak Jerri Jorgensen u nis për në karantinë, një spital në Fukushima. Burri i saj qëndroi i vetëm në kabinë.
Mark Jorgensen e gjeti veten duke pyetur: Nëse virusi kishte kaluar tri ditë duke u shumuar në fytin e gruas së tij, sa i madh ishte rreziku që edhe ai të infektohej?
Lehtësia me të cilën koronavirusi SARS-CoV-2 ishte në gjendje të përhapej në të gjithë anijen Diamond Princess shkaktoi shqetësim global. Një ditë, në bord u zbuluan 99 infeksione të reja, një tjetër 88, dhe sërish më vonë u identifikuan 79 pacientë të rinj. Në fund, gati një e treta e 3,700 pasagjerëve dhe ekuipazhit kishin rezultuar pozitiv për virusin gjatë karantinës 14-ditore.
Dy prej pasagjerëve kanë vdekur nga infeksioni i mushkërive i shkaktuar nga virusi. Dhe është mjaft e mundur që janë zbuluar infeksione shtesë midis pasagjerëve, të cilëve tani u është lejuar të kthehen në shtëpi, ku mund të presin dy javë të tjera karantinë.
Shumë pyetje të hapura
Po si u lejua të ndodhte? A ishte për shkak se rregullat e rëndësishme të karantinës dhe higjienës nuk u morën parasysh në anije, dyshon epidemiologu japonez Kentaro Iwata, nga Qendra e Sëmundjeve Infektive në Universitetin Kobe? Apo ishte faji i sistemit të ventilimit të anijes? Sido që të jetë, pasagjerët e infektuar, dhe dy që kanë vdekur, ishin viktima të një karantine që u vendos për mbrojtjen e tyre, por që u mbajt në disazvantazhin e tyre. Ka shumë pyetje të hapura.
Çfarë është e qartë, megjithatë, është se kudo që një numër i madh njerëzish janë në hapësira të afërta - në anije lundrimi, në spitale, në burgje, në autobusë dhe metro, në zyra të mëdha, në festivale apo panaire- virusi ka kushte ideale përhapjeje. Duket sikur SARS-CoV-2 nuk ka asnjë problem të kalojë nga personi në person.
Si rezultat, duket se një pandemi është bërë pothuajse e pashmangshme. Një numër në rritje ekspertësh kanë filluar të pyesin nëse përhapja globale e virusit ende mund të ndalet, dhe shfaqja e papritur e rasteve në Itali e ka nënvizuar këtë shqetësim. "Ka shumë skenarë të imagjinueshëm për një përhapje në të gjithë botën", thotë Marc Lipsitch, një epidemolog në Universitetin e Harvard-it. Ai megjithatë është i përgatitur të bëjë një parashikim: "Pohimet se deri në prill gjithçka do të përfundojë, nuk janë të vërteta."
Megjithatë, ekziston një shkak për ca optimizëm: Stinët e ngrohta po afrohen ngadalë, dhe shumë mirë mund të ndodhë që virusi të lehtësohet, në mënyrë të ngjashme me shumicën e gripeve dhe patogjenëve të ngjashëm. Për më tepër, numri i infeksioneve të reja të raportuara çdo ditë nga Kina po bie. Problemi, sidoqoftë, është se askush nuk e di nëse ata numra janë të besueshëm.
Lajmet nga krahina në karantinë e Hubeit, të cilat kryesisht shpërndahen përmes kanaleve të mediave sociale, vazhdojnë të jenë tmerruese. Shumica e 2,000 vdekjeve të shkaktuara deri më tani nga virusi kanë ndodhur në kryeqytetin krahinor të Wuhan. Dhe është veçanërisht shqetësuese se sa punonjës të kujdesit shëndetësor janë infektuar. Rreth 3,000 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në të gjithë Kinën.
Arena sportive, hotele dhe qendra kulturore janë shndërruar të gjitha në stacione karantine ku internohen të infektuarit. Qeveria kineze ka dërguar disa mijëra ushtarë në Wuhan, përveç një ushtrie infermierësh. Një video e shpërndarë gjerësisht tregon disa gra që rruajnë flokët e tyre të gjatë para se të shkojnë me shërbim - simbolikë e faktit se, ashtu si anëtarët e ushtrisë, ushtarët në luftën kundër virusit në Wuhan duhet të sakrifikojnë individualitetin e tyre.
Qyteti, me një popullsi prej 11 milion, është i përfshirë në asgjë më pak se një luftë kundër epidemisë, një luftë e deklaruar nga jo më pak se sa Presidenti Kinez Xi Jinping. Ata që janë infektuar nuk mund të marrin shërbim nga anëtarët e familjes në shtëpi. Të gjithëve u kërkohet të raportojnë rastet e dyshuara. Funksionarëve u është ngarkuar detyra të gjejnë të gjithë ata që kanë blerë ilaç për kollë ose ethe në javët e fundit.
Një numër i madh dispozitash dhe dekretesh janë imponuar në të gjithë Kinën ndërsa të gjitha nivelet e burokracisë kërkojnë të dëshmojnë besueshmërinë. Ata janë të gjithë të bashkuar nga frika: Në fund të janarit, Xi kërcënoi se të gjithë ata që nuk e përmbushën detyrimin e tyre në luftën kundër sëmundjes do të ndëshkoheshin. Ai paralajmëroi gjithashtu se ekonomia nuk mund të vuajë për një periudhë të zgjatur.
Sipas shifrave zyrtare, përzierja e frikës, sakrificës, mbikqyrjes dhe karantinimit rigoroz po sjell një efekt. Pas disa javësh paralizë, jeta publike në shumë pjesë të Kinës po kthehet në diçka që i afrohet normales. Përdoruesit e mediave sociale kanë filluar të postojnë lehtësimin e tyre duke parë përsëri bllokime të trafikut në rrugët e qytetit.
Udhëheqja e Pekinit po shfaq gjithashtu vetëbesim në rritje në luftën kundër sëmundjes. Pak më shumë se një javë më parë, periodiku i partisë 'Quishi' publikoi një fjalim të Xi në të cilin ai vlerësoi udhëheqjen e tij në luftën kundër koronavirusit. Fjala "Unë" shfaqet 13 herë në fjalim, një shenjë se presidenti është optimist dhe nuk shqetësohet më se duhet të marrë përgjegjësinë personale për përhapjen e sëmundjes.
Lajme të këqija nga vija e fronit
Eshtë pikërisht ai optimizëm që ka ngjallur shqetësim në bashkësinë ndërkombëtare të ekspertëve të sëmundjeve. Mbi të gjitha, duket e dyshimtë nëse një udhëheqës që paraqitet si shpëtimtar i vendit të tij do të ishte i gatshëm të pranonte një lajm të keq nga linjat e para.
Për shkak se të dhënat nga Kina nuk mund të besohen, ekspertëve u ka mbetur të presin dhe të shohin se ku do shfaqet virusi tjetër. Qytetet në Azinë Lindore dhe Juglindore janë veçanërisht të rrezikuar, beson Andrew Tatem nga Universiteti i Southampton-it në Angli. Duke përdorur modelet e trafikut ndërkombëtar, ai dhe ekipi i tij bënë një renditje të qyteteve ku rreziku i një shpërthimi të koronavirusit është më i madh. Bangkok, Hong Kong, Taipei, Seul, Tokio dhe Singapori janë në krye. Qyteti i parë gjerman në listë është Frankfurti, në vendin e 28-të.
Ekspertët, në të vërtetë, e kanë përqendruar pjesën më të madhe të vëmendjes në vendet në Lindjen e Largët, me sa duket me një arsye të mirë. Të enjten e kaluar, u njoftua se më shumë se 100 raste të reja u gjetën në një kishë të vetme në qytetin e Koresë së Jugut Daegu, që ndodhet tri orë në jug të kryeqytetit Seul. "Ne jemi të përfshirë në një krizë të paparë", tha kryebashkiaku i qytetit që ka një popullsi prej 2.5 miluon banorësh. Qyteti shpejt u boshatis dhe një banor 28-vjeçar i tha Agjencisë Reuters 'duket sikur dikush ka hedhur një bombë në mes të qytetit. Duket si një apokalips me zombie”. Të dielën, Koreja e Jugut njoftoi se ishin identifikuar 556 raste me koronavirus.
Në Japoni, ministri i Shëndetësisë tha që vendi po hynte në një "fazë të re" të përhapjes së virusit. Për herë të parë, vendi ka identifikuar raste në të cilat zyrtarët nuk ishin në gjendje të përcaktonin se ku kishte ndodhur infeksioni.
Por edhe në Itali, situata duket se nuk po del duarsh. Të hënën, Italia raportoi se gjashtë njerëz kishin vdekur nga sëmundja dhe numri i të infektuarve është rritur në më shumë se 200, shumica e tyre në rajonet veriore të Venetos dhe Lombardisë. Të dielën, qeveria mori vendimin për të mbyllur disa bashki në veri të Italisë. Asnjë nga ata që fillimisht testuan pozitiv nuk ishte në Kinë kohët e fundit.
Për epidemiologët, një transmetim i tillë konsiderohet një moment kyç - nëse rruga e virusit nuk mund të ndiqet më, atëherë nuk ka ndonjë masë efektive në dispozicion për të bllokuar përhapjen e tij.
Sapo të arrihet ajo fazë, ekspertët kanë frikë, nuk do të kalojë shumë kohë para se patogjeni të gjejë rrugën drejt vendeve ku sistemi i kujdesit shëndetësor nuk është i përgatitur të trajtojë një epidemi. Shqetësimi ishte pra i rëndësishëm kur Irani raportoi të mërkurën e kaluar se dy persona kishin vdekur nga Covid-19 në qytetin Qom. Asnjë nga të dy nuk kishte udhëtuar kohët e fundit jashtë vendit dhe kontakti me turistët kinezë gjithashtu nuk mund të gjendej. Sipas njoftimeve të lajmeve, situata që atëherë vetëm është përkeqësuar, me numrin e vdekjeve të raportuara zyrtarisht në vend që ka arritur në 12.
Një rritje e tillë e shpejtë në numrin e rasteve është pikërisht lloji i skenarit nga i cili frikësohet Michel Yao. Në selinë rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetit në Brazzaville, kryeqyteti i Republikës së Kongos, ai është përgjegjës për koordinimin e urgjencës në një rajon që konsiderohet gjerësisht si 'thembra e Akilit' kur bëhet fjalë për reagimin global ndaj epidemive. Ky rajon përfshin 47 vende afrikane dhe është detyra e tij të krijojë strategji për të parandaluar ose ngadalësuar përhapjen e epidemive atje.
Zhvillimi i Kritereve për Spitalet
"Coronavirus mund të bëhet një sfidë e madhe këtu," thotë Yao. Sistemet e kujdesit shëndetësor janë të dobëta në rajon, thotë ai, dhe ato lehtësisht mund të mbingarkohen. Vetëm 100 raste të papritura, thotë ai, do të ishin të mjaftueshme.
Një ditë para bisedës me Yao javën e kaluar, alarmi kapi Sierra Leonen me 29 udhëtarë nga Kina të bllokuar në aeroport. Dy prej tyre vuanin nga ethet. Kishte raste të tjera të dyshimta në Burkina Faso, Kenia dhe Guinean Ekuatoriale. "Ne presim rastin e parë të konfirmuar në çdo kohë," tha Yao.
Shumë ekspertë besojnë se virusi ka kohë që ka gjetur rrugën e tij në Afrikën qendrore dhe jugore, dhe Yao thotë se nuk mund ta përjashtojë këtë. "Eshtë një virus i ri dhe ne nuk e dimë se si sillet këtu."
Dhe pastaj, atij i duhet të largohet. Ai ka më shumë në pjatë sesa thjesht koronavirusi, në fund të fundit. Gjithashtu duhet të adresojë shpërthimet e etheve Lassa, fruthit dhe Ebolas.
Rreth 6.000 kilometra në veri, Christian Drosten është ulur në tavolinën e tij gjigande, të mbuluar me shënime, duke pirë çaj. Një burrë i gjatë, me flokë të errët dhe kaçurrela, Drosten është drejtor i Institutit të Virologjisë në Charité të Berlinit, dhe ai kishte anuluar të gjitha takimet atë ditë për të shkruar dokumentin shkencor që shumë ekspertë nëpër botë kishin pritur. Fokusi ishte tek sa kohë pacientët Covid-19 mbeten infektivë dhe kur ata mund të lirohen nga spitali pa paraqitur rrezik për të tjerët.
Matjet e viruseve në mostrat e shkarkimit dhe të jashtëqitjes i dhanë Drosten të dhëna të përcaktuara. Në bazë të këtyre matjeve, thotë ai, ishte në gjendje të zhvillonte kritere të qarta për spitalet, gjë që është jetike për trajtimin klinik të ndonjë shpërthimi të sëmundjes. "Nëse virusi përhapet në të gjithë botën, ne do të duhet të çlirojmë shtretërit sa më shpejtë që të jetë e mundur," thotë Drosten.
Drosten u rrit në një fermë afër kufirit me Hollandën dhe iu fut mjekësisë gjatë shërbimit të detyrueshëm civil. Ai e kuptoi që herët se nuk ishte prerë për të punuar në njësinë e kujdesit intensiv dhe përfundimisht vendosi të punojë në laborator si virolog.
Ai u bë i famshëm brenda natës në 2003 kur ishte në gjendje të identifikonte virusin SARS më shpejt se autoritetet e SHBA. Tani ai shihet si eksperti kryesor i koronavirusit dhe një specialist kur bëhet fjalë për analizimin e mostrave.
Të dy monitoruesit në tryezën e tij shfaqin të dhëna mbi pacientin mbi të cilat mbështeten argumentet e tij. "Për fat të keq," thotë ai, "vazhdimisht ndërpritem nga emailet". Ai merr rreth 300 në ditë për momentin, "dhe rreth 100 prej tyre duhet të marrin përgjigje në të njëjtën ditë."
Pozitiv ose negativ
Që kur u bë i njohur në janar se infeksioni i ri i mushkërive nga Wuhan ishte shkaktuar nga një koronavirus, Drosten ka punuar orë të gjata, me kohë mezi të mjaftueshme në mëngjes për të çuar të birin në çerdhe. Qëllimi i tij është të mësuarit sa më shumë të jetë e mundur në lidhje me virusin, i cili mund të shihet vetëm me mikroskop elektron - dhe ai shpreson ta bëjë këtë përpara se patogjeni të përhapet në të gjithë botën. Vetëm nëse mjekët e njohin kundërshtarin e tyre, në fund të fundit, ata mund të përshkruajnë trajtimin e saktë.
Një nga projektet e rradhës që Drosten synon të fillojë është zhvillimi i një testi për virusin i cili mundet, ngjashëm me një test shtatëzanie, të identifikojë sëmundjen menjëherë, pozitive ose negative. Një nga problemet me të cilat përballen profesionistët e mjekësisë për momentin është se shumë nga të infektuarit tregojnë vetëm simptoma shumë të buta ose asnjë. Pa një test të shpejtë për të identifikuar praninë e patogjenit, kontrollimi dhe monitorimi i përhapjes së tij është praktikisht i pamundur. "Një provë e tillë mund të përdoret, për shembull, në zonat rurale të Afrikës," thotë Drosten. "Por gjithashtu në praktikat plotësisht normale familjare dhe dhomat e urgjencës."
Virusi ka modus operandin e vet, thotë Drosten, dhe ai i patogjenit Covid-19 fillimisht ishte keqidentifikuar prej tij dhe shumë shkencëtarëve të tjerë nëpër botë. "Unë menjëherë po mendoja: SARS". Virusi i ri dhe patogjeni SARS, në fund të fundit, i përkasin të njëjtës familje virusesh.
Por më pas, Drosten dhe ekipi i tij bënë një zbulim që ndryshoi plotësisht pamjen mbizotëruese të virusit. Në kontrast me virusin SARS, patogjeni Covid-19 mund të izolohet në fytin e pacientëve, dhe jo vetëm në mushkëritë e tyre. Kjo mund të shpjegojë pse është shumë më ngjitës sesa SARS, por gjithashtu shumë më pak i rrezikshëm.
Drosten dhe kolegët e tij janë të përqendruar në krahasimin e dy patogjenëve në një nivel molekular. Të dy ata aktualisht janë në ruajtje në minus 80 gradë Celsius në të ashtuquajturën Laboratori S3 i Institutit të Virologjisë në Berlin. Masat paraprake të sigurisë janë të shtrënguara, tejkaluar vetëm nga ato që rrethojnë patogjenë super të rrezikshëm siç është virusi Ebola.
Marcel Müller, i cili drejton laboratorin, shkurtimisht i hedh sytë mbi një ekran që monitoron presionin negativ të ajrit brenda laboratorit, një masë për të siguruar që ajri mund të futet, por kurrë të dalë. Ai më pas hap një derë të rëndë me një dritare të madhe rrethore që çon në hyrjen e laboratorit përpara se të futet në veshjen e tij mbrojtëse: dy palë doreza blu, çizme gome të verdha, një kostum mbrojtës mikro-fibër, mbulesa të papërshkueshëm nga uji dhe, pikërisht në fund, një maskë gri me një tel që i mbulon tërë kokën.
Detyra e Müllerit për atë ditë është 'helmimi' i një kulture qelizore me virusin e vjetër SARS të Drosten, në mënyrë që patogjeni të mund të shumëfishohet dhe të sigurojë materiale të mjaftueshme virale për eksperimentet që do të kryhen më vonë. Eshtë befasuese, thotë Müller, sa e pambështetur është të nxjerrim përfundime në lidhje me sjelljen e një virusi mbi bazën e gjenomit të tij. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të mos krahasohet vetëm gjenomi i koronavirusit të ri me atë të virusit SARS, por të krahasohen edhe dy patogjenët me veten.
Revista 'Science' sapo publikoi një punim për proteinën më të rëndësishme sipërfaqësore të patogjenit që shkakton Covid-19. Sipas ekipit që qëndron pas studimit, proteina lidhet shumë më fort në qelizat e njeriut sesa proteina e ngjashme e patogjenit SARS. Kjo mund të jetë një shpjegim shtesë për atë se pse koronavirusi i ri është shumë më ngjitës se SARS.
Pa panik
Müller dhe Drosten tani dëshirojnë të zbulojnë pse SARS-CoV-2, siç quhet patogjeni i ri i koronavirusit, është në gjendje të shumëfishohet në fytin e pacientëve, në kontrast me patogjenin e vjetër SARS. Në këtë kërkim, Müller përdor një pipth për të futur mostrat e virusit në një shishe, brenda së cilës një kulturë qelizore po rritet në një solucion ushqyese të kuqërremtë. Ai pastaj e vendos kulturën në një inkubator. Brenda disa ditësh, virusi do të shumëfishohet në mënyrë të konsiderueshme dhe do të shkaktojë shpërthimin e shumë qelizave, me vrima të dukshme në shtresën e qelizës kur shikohen me mikroskop.
Kultura të tilla qelizore, thotë Müller, do të përdoren gjithashtu për të testuar ilaçe që targetojnë virusin e ri. Shumë prej ilaçeve dëshmuan tashmë një sasi të caktuar efektiviteti në betejën kundër virusit SARS. Tani, ata mund të bëhen një armë e rëndësishme nëse koronavirusi i ri zhvillohet në një pandemi.
Ka të ngjarë të mos ketë shumë kohë derisa alarmi global mbi Covid-19 të arrijë edhe në Gjermani, dhe zyrtarët shëndetësorë në të gjitha shtetet gjermane aktualisht po bëjnë përgatitje. Sidoqoftë, çuditërisht, duket se sa më afër virusi, gjërat merren me qetësi.
Frankfurti konsiderohet të jetë veçanërisht i ekspozuar, me aeroportin ndërkombëtar që shihet si një hyrje e mundshme virale. Autoritetet lokale shëndetësore vlerësojnë se disa mijëra pasagjerë zbarkojnë çdo ditë në Frankfurt të cilët teorikisht mund të ishin në kontakt me njerëzit e infektuar me Covid-19. Duket e pashmangshme që njëri prej tyre përfundimisht do ta sjellë virusin në Gjermani.
Si përgjigje, të gjithë pasagjerëve që vijnë nga rajone në rrezik u është dashur të plotësojnë një pyetësor, si masë parandaluese të prezantuar javën e kaluar. Ata që thonë se kishin kontakte me dikë të infektuar izolohen në aeroplan dhe më pas ekzaminohen nga një mjek pas mbërritjes në Frankfurt. Nëse mjeku beson se dyshimi për infeksion është i besueshëm, pasagjeri testohet më pas në klinikën universitare. Askush, megjithatë, nuk beson se procedura ofron një mënyrë mbrojtjeje të besueshme. Asnjë pasagjer i vetëm i Lufthansa ende nuk është përgjigjur "po" në pyetjen përkatëse. Linjat e tjera ajrore raportojnë se disa pasagjerë, në fakt, janë përgjigjur në mënyrë konfirmuese, por më vonë doli që ata vepruan kështu sepse kishin keqkuptuar pyetjen.
Aftësiae aeroportit për të reaguar ndaj sëmundjes u vu në provë të plotë në mes të janarit, kur gati 130 gjermanë mbërritën pasi u evakuuan nga Wuhan. Një qendër mjekësore u krijua shpejt në mënyrë që njerëzit të mund të ekzaminoheshin - dhe dy prej tyre madje u zbuluan se bartnin sëmundjen. Por në të dyja rastet, sëmundja u tregua jo e dëmshme dhe njëri prej tyre nuk rezultoi as me ndonjë simptomë.
Virusi i ri, për fat të mirë, nuk është aspak si patogjeni agresiv SARS, thotë specialisti i sëmundjes infektive Antoni Walczok nga Zyra e Shëndetit në Frankfurt. Kur bëhet fjalë për atë se si sëmundja ka të ngjarë të përparojë, ai thotë se krahasimet mund të bëhen me pandeminë e gripit të derrit në 2009.
Një sasi e caktuar optimizmi
Shumë nga planet emergjente të zhvilluara në atë kohë janë nxjerrë nga sirtari, duke përfshirë opsionet për anulimin e eventeve publike, mbylljen e shkollave dhe reduktimin e transportit publik. Megjithatë, thotë Walczok, u desh muaj para se rastet sporadike të izoluara përfundimisht u bënë një shpërthim më i madh.
Walczok, megjithatë, ende nuk mendon se masa të tilla do të bëhen të nevojshme këtë herë. Shkollat dhe kopshtet, për shembull, ka të ngjarë të qëndrojnë të hapura edhe nëse sëmundja përhapet në Gjermani: Deri më tani, duket se fëmijët rrallë preken nga Covid-19.
Askush në Gjermani nuk ka grumbulluar aq përvojë me virusin e ri sa bavarezët. Në fund të janarit, 14 njerëz të lidhur me kompaninë e furnizimit të automjeteve Webasto në Stockdorf, në juglindje të Mynihut, u infektuan me SARS-CoV-2. Dhe këtu, gjithashtu, përvoja me virusin ka çuar në një sasi të caktuar optimizmi.
"Sëmundja ishte mjaft e butë", thotë Clemens Wendtner, mjeku kryesor në klinikën e Mynihut që trajtonte nëntë prej pacientëve. Wendtner dhe ekipi i tij monitoruan simptomat e gripit dhe kollën e thatë të pacientëve. Disa nga pacientët raportuan vështirësi për të nuhatur dhe shijuar ushqimin.
Strategjia e pranimit të pacientëve të infektuar, ndërsa karantinoheshin në shtëpi ata me të cilët kishin qenë në kontakt të ngushtë, funksionoi, thotë Wendtner. "Vështirë se ndonjë infeksion ishte importuar," thotë ai. Dhe vështirë se dikush tjetër ishte infektuar nga pacientët. Ai thotë se as nuk pati nevojë të përdorte stacionin e karantinës së klinikës së tij. "Tani besoj se nuk do të përjetojmë një valë të madhe koronavirusi në vend, "thotë Wendtner.
Përvojat e tilla mund të jenë një arsye pse masat paraprake në North Rhine-Westphalia, shteti më i populluar i Gjermanisë, kanë qenë gjithçka, përveçse drakoniane. Deri në fund të javës së kaluar, katër persona ishin klasifikuar si "Personat e Kontaktit të Kategorisë I" dhe ishin duke u monitoruar. Të katër këta ishin në mesin e 57 gjermanëve që kishin udhëtuar me anijen Westerdam. Pasagjerëve të anijes iu ishte lejuar të zbrisnin në Kamboxhia, pasi ndërmarrja e transportit detar kishte thënë se anija nuk ishte e infektuar me Covid-19. Vetëm pasi shumë ishin larguar tashmë, u bë publike që një grua 83-vjeçare amerikane kishte dalë pozitive.
Katër nga pasagjerët e anijes tani janë rikthyer në shtëpitë e tyre në North Rhine-Westphalia, por ata nuk iu nënshtruan karantinave të rrepta siç ishin ata që ishin kthyer nga Wuhan. Zyrtarët shëndetësorë menduan se vetëm mbajtja në shtëpitë e tyre do të ishte e mjaftueshme. Sidoqoftë, atyre u është kërkuar që të masin temperaturën dy herë në ditë dhe të mbajnë një ditar se si ndihen dhe me kë kanë kontakte. Ushqimi u çohet me shërbim të posaçëm.
Një javë më parë zyrtarët amerikanë në Qendrat e Kontrollit të Sëmundjeve njoftuan se në të vërtetë nuk kishte asnjë infeksion: Testi i gruas 83-vjeçare kishte prodhuar në të vërtetë një rezultat negativ, tha një zëdhënës.
Bota është, në thelb, në pritje. Virusi SARS-CoV-2 është në procesin e qarkullimit nëpër glob, dhe megjithatë disa pyetje mbeten pa përgjigje. Ndoshta shumë.
Në të vërtetë, mungesa e njohurive për patogjenin mbetet më seriozja nga sfidat. Për aq kohë sa ekspertët mjekësorë, zyrtarët shëndetësorë dhe përfaqësuesit politikë nuk dinë gjithçka që duhet të dinë për virusin, ata do të vazhdojnë të bëjnë gabime katastrofike.
Të tilla si ato të bëra brenda Diamond Princess
Dy ditë pasi Jerri Jorgensen u largua nga kabina që ndante me të shoqin dhe u çua në spitalin e Fukushimas, burri i saj dhe të gjithë shtetasit e tjerë amerikanë nga Diamond Princess u evakuuan. Autobusët i çuan në aeroportin Haneda dhe Mark Jorgensen u fluturua në Kaliforni i ulur në kabinën e ripërshtatur me nxitim të një avioni ngarkesash.
Ai tani është në një karantinë të dytë - një apartament me tri dhoma në Bazën e Forcave Ajrore të Travis pak jashtë San Franciskos. Ai është duke bërë çmos për të mbajtur sensin e humorit, duke iu referuar banesave të tij të reja si "strehëzat e beqarit". Deri më tani, nuk ka treguar asnjë simptomë. Por ai nuk do të dijë me siguri nëse është bartës i sëmundjes derisa të kalojë periudha e inkubacionit 14-ditësh.
Gruaja e tij në Fukushima, ndërkohë, nuk po shfaq më simptoma. Ajo thjesht ankohet për ushqimin dhe se nuk ka internet. Dy Jorgensenët janë të detyruar të qëndrojnë në kontakt nëpërmjet telefonit, dhe flasin çdo ditë. Janë të detyruar të presin. Ashtu si ne të tjerët.
Përkthimi: Politiko.al