Flash News

KRYESORE

Speciale e DER SPIEGEL: Kokaina, shqiptarët janë lojtarët e rinj të mëdhenj

Speciale e DER SPIEGEL: Kokaina, shqiptarët janë lojtarët e rinj

DER SPIEGEL

Pjesa 2 

Prodhuesit

Kolumbia është vendi nga nis shpërndarja e kokainës nëpër gjithë botën. Nga fushat e provincës Putumayo, e deri tek klubet e Nju Jorkut, Moskës dhe Berlinit. Me pamje nga një plantacion kokaine, në një verandë të gjerë që e ka ndërtuar disa muaj më parë, qëndron një burrë me një mjekër si të cjapit dhe një kapele me strehë të gjerë. Ai quhet Shnajder, ose të paktën kështu e thërrasin të gjithë.  Vështrimi i tij rri ngultas mbi pesë hektarët me bimë të gjelbra dhe të larta të kokainës. Ato janë krenaria dhe gëzimi i tij, burimi i tij i të ardhurave, janë jeta e tij.

Shnajder e ka pastruar atë zonë krejt i vetëm. Ka qenë një punë e lodhëshme, të cilën e kishte bërë më të vështirë nxehtësia dhe lagështia e xhunglës. Kjo është arsyeja përse ai nuk beson që dikush do ta pyeste ndonjëherë seriozisht: Përse nuk mbillni patate, kafe, misër ose oriz? Gjithçka përveç kokainës. Më lehtë mund ta pyesni nëse ai mund ta mbajë frymën për 15 minuta për të përmirësuar klimën globale.

“Sigurisht që kokainë do të mbillja”, thotë ai. “Është e vetmja gjë që sjell mjaftueshëm para”. Atij i duhen 6 ose 7 orë me varkë që të transportojë të korrat në qytetin tjetër. Me patate ose misër ai mezi do të nxirrte paratë e karburantit. Por nëse prodhon kokainë, atij nuk i duhet të largohet fare nga shtëpia, pasi blerësit vijnë vetë tek ai.

Shnajder shikon poshtë një argjinature të vogël që të çon në lumë, lidhja e tij e vetme me botën e jashtme. Aty ai nuk ka as elektricitet, as telefon, as kanalizime dhe as mjekë. Por gjithashtu nuk ka as policë, as gjykatës – me pak fjalë, ligji nuk hyn aty. Ky është problemi i hershëm i Kolumbisë. Aty ka thjeshtë shumë tokë për një qeveri shumë të vogël. Për Shnajderin, fermerin e kokainës, ky është më tepër një luks se sa problem.

Guerilasit majtistë të FARC kanë marrë sërish kontrollin e asaj zone. Pavarësisht nëse është FARC apo mafia, të gjithë, pak a shumë jetojnë nga kokaina. Për ca kohë gjendja nuk ishte e mirë. Qeveria ishte në luftë me FARC dhe që nga mesi i viteve '90, ajo dërgoi jo vetëm ushtarë, por edhe aeroplanë të ngarkuar me glifosat (një pesticid që shkatërron bimët). Ata e kuptuan që pa kokainë nuk kishte para. Dhe nëse nuk kishte para, nuk mund të bliheshin as armë. Nga 163,000 hektarë fusha me kokainë që ishin në vitin 2000, vetëm 48,000 të tilla mbetën deri në vitin 2013.

Më shumë tokë se ç’mund të përballojë qeveria

Pastaj erdhën bisedimet e paqes dhe paqja është diçka e mirë për njerëz si Shnajderi. Si fillim nuk kishte më shi glifosati. Dhe pas rebelëve të FARC erdhën gangsterët e drogës të financuar nga kartelët e Meksikës, me urinë e tyre të pangopur për zgjerim. Një shërbim i inteligjencës perëndimore vlerëson se sot në Kolumbi ka 209,000 hektarë fusha të mbjella me kokainë. “Ka shpërthyer kultivimi i kokainës në të gjithë sipërfaqen”, thonë ata.

Thuajse 70 përqind e kokainës së shpërndarë në të gjithë botën rrjedh nga fushat e Kolumbisë. Pjesa tjetër vjen nga Bolivia dhe Peruja – dy vendet e tjera me shumë tokë dhe qeveri të paaftë për ta përmballuar atë. Një hetues gjerman i BKA është shprehur kështu për Bolivinë në një raport të muajt prill, i cili duhej të mbetej konfidencial: “Lufta ndaj kokainës nuk po zhvillohet më në një shkallë të dukshme. Zor se ka një copëz të vullnetit politik në këtë.” Pjesa tjetër e raportit ishte tepër thumbuese: “Statistikat me të cilat Bolivia kundërshton çdo kritikë nga jashtë nuk vlejnë as sa letra tmerrësisht e gjatë në të cilën janë shtypur”.

Nga xhunglat e pjesës më të madhe të prodhuesve të kokainës, droga transportohet në brigjet e Amerikës së Jugut, kryesisht në portin e kontenierëve në lindje. “Brazili po ecën përpara me një shpejtësi marramendëse”, thuhet në raportin e BKA, ku deklarohet se Brazili ka qenë qendra kryesore për transportimin e kokainës në Europë që nga 2013. Përgjatë rrugës prej nga bëhet furnizimi me drogë ndodhet një shtet që as nuk e vë ujin në zjarr për të marrë, qoftë edhe masën më të vogël ndaj luftës kundër drogës: Venezuela. Që kur Shtetet e Bashkuara vendosën embargon e naftës, gjë e cila i hoqi Venezuelës burimin e ekonomisë së vendit - dhe qeverisë së korruptuar të populistit Nicolas Maduro – kjo mungesë po plotësohet gjithnjë e më shumë nga kokaina.

"Hetimet tona kanë treguar që të dy anëtarët e qeverisë dhe personeli i lartë i ushtrisë janë të përfshirë në trafik droge", thotë një gjurmues amerikan i drogës që vjen nga Venezuela. Agjensia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin e Zbatimit të Ligjit, e njohur si Europol, ka bërë një vëzhgim të ngjashëm: "Gjithnjë e më shumë kokainë po rrjedh përmes Venezuelës në Europë." Bandat ndërkombëtare të drogës sigurojnë një kalim të lehtë të saj nëpër Atlantik.

Peshqit e mëdhenj

Kur një efektiv i forcave speciale SWAT shqeu derën e një shtëpie në orën 4.00 të mëngjesit më 5 dhjetor 2015, Gioaçhino R., për shkurt Gino, nuk dukej fort i shqetësuar. Kjo nuk ishte hera e parë për të. "Z. R. dukej shumë i qetë dhe tha që e njihte procedurën nga precedentë të mëparshëm", vuri në dukje më vonë zyra e policisë kriminale e shtetit. Gino R., banor i Solingenit, qytet në  Gjermanisë Perëndimore, ishte thirrur nga kryeqendra e Siçilisë, Palermo. Ai dyshohej se kishte lidhje familjare me mafien kalabreze Ndrangheta dhe një sërë dënimesh të përsëritura për drogë, mashtrime dhe sulme kundër shoferëve në autostradë. Arrestimi i tij në mëngjes herët u bë për shkak se ai dyshohej si pjesë e një grupi trafikantësh kokaine.

Nuk ishte një shpërndarës i vogël që shiste kokainë me gramë nëpër cepa rrugësh, por një lloj peshku i madh që rrallë herë binte në rrjetën e policisë. Ai ishte lloji i trafikantit që kishte njerëzit e tij në Amerikën e Jugut dhe kontenierët e tij të transportit në Europë. Në atë ditë dhjetori të 2018 ishin bërë 84 arrestime; 47 prej të akuzuarve ishin në Gjermani. “Operacioni Polino” ishte quajtur ashtu për shkak të një mali në Kalabri. Ky operacon ofroi të dhëna të rralla për këtë biznes të fuqishëm dhe misterioz.

Sipas dosjeve të prokurorit publik, Gino R. nuk përdorte identitetin e askujt. Ai kishte shkuar në Gjermani, kishte jetuar bashkë me një të afërmin e tij në Lüdenscheid, kishte punuar në një restorant në Duseldorf ku fitone më pak se 1200 euro në muaj. Më vonë ai nisi punë në ndërtim, ndërsa e dashura e tij punonte si pastruese që të kishin mjaftueshëm para për të shtyrë muajin. Ata bënin një jetë në limite, si shumë të tjerë.

Por hetuesit kishin dalluar diçka. Ata pyesnin veten se përse një njeri në dukje krejt i thjeshtë do të sillej në një mënyrë “tmerrësisht konspirative”. Ata kishin vënë re edhe diçka tjetër të dyshimtë: Në janar të vitit 2015 Gino R. ishte bërë bashkëthemelues i një kompanie që importonte qymyr druri nga Kolumbia dhe dru nga Guajana. Një dru i kuqërremtë i llojit wamara, pak i kërkuar në Europën Perëndimore dhe praktikisht i pashitshëm. Përse një njeri pa para, pa një porosi nga gjermanët dhe pa njohuri rreth lëndëve drusore – apo një tregtie të tillë – do të sillte në Europë kontenierë të tërë me këtë lëndë?

Kontrabandistë gjithnjë e më të guximshëm

Kokaina prodhon para më shumë se çdo drogë tjetër – 300 miliardë euro në të gjithë botën, sipas shërbimeve sekrete gjermane. Europa është tregu i dytë më i madh pas Amerikës së Veriut. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se një e katërta e përdoruesve të kokainës në botë jetojnë në Europë. Dhe aty ku ka kërkesa, aty shkon edhe malli. Autoritetet kanë sekuestruar sasi droge në jahte, gomone dhe anije peshkimi. Kohët e fundit, një avion privat me 600 kilogramë kokainë në bord fluturoi nga Uruguaji në Nicë, Francë, dhe në Basel, Zvicër. Transport i klasit të parë. Ka edhe metoda të tjera të transportit të drogës (skaji më i ulët i tregut), ku korrierët e fusin kokainën nëpër preservativë, të cilët më pas i gëlltisin ose i fshehin poshtë parukes. Ata madje e fshehin atë nëpërmjet transplanteve të qeskave në kraharor.

Megjithatë, rruga e preferuar drejt Europës kanë qenë kontenierët që nisen në rrugë detare. Një nga sasitë më të mëdha të të gjitha kohërave të konfiskuara nga autoritetet - 19 ton të kapura në qershor – ishin shpërndarë nëpër kontejnerë të shumtë në bordin e një fregate në Filadelfia. Kontenierët do të niseshin drejt Roterdamit. Një anije e vetme mund të marrë me mijëra kontenierë të tillë. Miliona prej tyre përshkojnë oqeanet. Secili prej tyre ka vend për një sasi kokaine qindra miliona dollarëshe, në varësi të sasisë që gangsterët fusin nëpër kontenierë dhe shtrirjes së territorit ku ata e shesin mallin.

Ndërsa trafikantët e drogës dikur hiqnin keq duke e fshehur kokainën nëpër gjëra të tilla si ananasë, sot ata i mbajnë nëpër çanta sporti apo kuti. Në Amerikën e Jugut ata hapin edhe kontenierët e ngarkuar dhe e fshehin aty kokainën. Pastaj bashkëpunëtorët e marrin atë, zakonisht kur kontenieri është akoma në port. Hetuesit i referohen kësaj metode si “fut e nxirr”. Kompanitë e kontenierëve zakonisht nuk e kanë idenë e asaj që ndodh.

Sigurisht, kjo nuk vlen për Gino-n dhe kompaninë e tij. Fakti që forcat speciale hynë me forcë në shtëpinë e tij në 4.00 të mëngjesit, ka të bëjë me Giuseppe T., një kryemafioz italian. Burri me pseudonimin "Principale", ose shefi, kishte frikë se mos eliminohej nga mafiozë të tjerë. Në korrik 2015, ai shkoi në polici dhe rrëfeu gjithçka, duke përfshirë edhe të dhëna rreth kompanisë së vogël të Gino-s në Gjermaninë Perëndimore, si dhe operacionet më të mëdha  të Ndranghetas në Kolumbi.

Gjatë valës së fundit të kokainës, baronët e drogës si Pablo Escobar dhe vëllezërit Ochoa nga Kolumbia dominuan zinxhirin e furnizimit në Amerikën e Veriut dhe Europën. Tani mafia dhe bandat e tjera europiane kanë liderët e tyre në Amerikën e Jugut. Sipas Interpolit, shqiptarët në veçanti janë lojtarët e rinj të mëdhenj në biznesin e kokainës.

"Grupet në Europë duan ta marrin mallin direkt nga prodhuesit, në mënyrë që të kursejnë transportin dhe të marrin një pjesë më të madhe të fitimeve", shpjegon hetuesi i Interpol, Andres Bastidas. Përfaqësuesit e shitjeve i mbledhin paratë e familjeve mafioze ose tregtarëve në shtëpi, bëjnë një listë të blerjeve dhe blejnë me shumicë jashtë shtetit për të gjithë. Mallrat ndahen më vonë në Europë. "Principale" tha se ai kishte grumbulluar 2 milion euro për të blerë kokainë, ku përfshiheshin paratë e tij dhe të mafiozëve të tjerë.

Qymyr, dru, më pas kokainë

Nga ana e tyre, kolumbianët kanë njerëz të specializuar që merren me kultivimin e kokainës, laboratorin e drogës dhe transportin. Gjithashtu, ata kanë bashkuar forcat duke formuara kooperativa. “Kjo është arsyeja përse kokaina kapet me ton sot”, tha hetuesi i Interpol, Bastidas.

Kontenieri i parë i Gino R., arriti në Hamburg në fillim të vitit 2015. Ai përmbante 640 çanta me qymyr të amballazhuara, ku shkruhej “cilësia më e mirë”. Dogana i kontrollonte mallrat dhe i jepte dritën jeshile. Nga ana e tij, R., dukej se nuk shqetësohej shumë për qymyrin që importonte. Edhe në vitin 2017 të njëjtat çanta qëndronin ende të pashitura përpara një depoje në Hurth. Kontenieri tjetër që mbërriti në Antwerp në tetor të vitit 2015 ishte i mbushur me dru.  Këtë herë ngarkesa u braktis në Schwalmtal.

Kjo nuk i habiti hetuesit. Këto dërgesa ishin një test për të parë nëse ngarkesat mund të kaloheshin nëpërmjet doganës, dhe a do mund të krijonin një sens të rremë besimi tek autoritetet. Kompanitë e reja krijojnë dyshime. Sa më shumë ngarkesa të pastra të sjellë një kompani, aq më pak kontrollohet ajo në të ardhmen.

Kontenieri me kokainë arriti në Rotedam në 6 dhjetor 2015 dhe u kontrollua. Oficerët e doganës gjetën 6 kuti, një çantë sporti dhe një valixhe mbi ca dërrasa në pjesën e pasme. Qentë nuhatës dhe testi mjekoligjor e konfirmoi: ishte kokainë. Ishin 82.3 kilogram kokainë 80 përqind e pastër. Kjo nuk konsiderohet një ngarkesë e madhe sot, por hetuesit besojnë se R. dhe grupi i tij kishin si synim të fusnin 1.2 ton drogë në Europë – të paktën sipas dokumentave hetimore.

Në fillim, zyrtarët e narkotikëve në Hollandë supozonin se themeluesi i kompanisë, Gino R., nuk kishte asnjë lidhje me dërgesën. Por në maj 2017, kur dikush me emrin, "Toto", e thirri R. në telefon për të porositur 10 "simite", policia e kuptoi se Gino ishte pjesë e bandës. Avokti i R. nuk pranoi të prononcohej për DER SPIEGEL. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm synon të ngrejë akuzë brenda pak javësh.

Peshqit e vegjël

Florianit, studentit nga Berlini nuk do t’i bjerë kurrë rasti të përballet me njerëz si Gino apo Giuseppe. Kontaktet e tij janë ata që rrinë në fund të zinxhirit të tregtisë së kokainës, djemtë që shesin “simite” në rrugë. Shpesh ata e dërgojnë mallin me taxi, pasi shërbimet me korrier janë të njohura. Ata e marrin porosinë përmes telefonit dhe dërgojnë një shofer me mallin brenda gjysëm ore. Pas një xhiroje të shpejtë nëpër lagje shoferi pyet: “Gjithçka në rregull, djalosh?” Floriani përgjigjet: “Po, gjithçka mirë”. Pastaj ai i jep 50 euro shoferit dhe merr prej tij një shishe të vogël plastike të mbushur me 0.7 gramë kokainë. “Shihemi herën tjetër”.

Floriani thotë se në pjesën më të madhe të kohës shoferët janë të rinj, turq ose arabë, më shumë se italianë. Por ajo që kërkohet nuk ka lidhje me këtë. Ata janë shumë të sjellshëm, ndoshta për shkak të garës së frikshme, supozon Floriani. “Ka tmerrësisht shumë taksi në Berlin. Disa miq kanë gjithnjë një numër të ri taksie.”

Por sot policia e Berlinit i ka rënë në erë kësaj gjëje. Ata i kanë grumbulluar hetimet e tyre për taksitë e drogës në një departament special të policisë. Janë 35 hetime në vazhdim. Shefi i policisë së antidrogës në Berlin vlerëson se disa "komisione taksish" trajtojnë më shumë se 100 kërkesa në ditë.

Disa madje u ofrojnë klientëve të tyre zbritje për të fituar avantazh ndaj konkurrencës. Një mesazh të shkruar thuhej, "Hej, jam unë, Toni. Kam përsëri një ofertë të madhe për ty. Blini katër birra, merrni një falas." Blini katër shishe kokainë, merrni të pestën falas. Dhe ndërsa marrëveshjet e drogës dikur bëheshin në qarqe të vogla, të izoluara, autoriteti antidrogës i BE-së ka vëzhguar një "metodë të re në trafikun e kokainës", sepse "media sociale përdoret relativisht shpesh për të reklamuar kokainë". Në tregun e shfrenuar të darknet (një rrjet kompjuterik me qasje të kufizuar që përdoret kryesisht për shpërndarje të paligjshme), klientët mund të vlerësojnë shitësit e kokainës dhe produktin e tyre si në Google, ashtu dhe në eBay.

Taksia e kokainës në Herzefelde nuk është aq e sofistikuar sa konkurentët e saj, por Rene F. dhe familja e tij sapo kanë filluar. Ata nisën të shisnin në shtator të vitit 2018. Ata e morën produktin e tyre, sipas prokurorëve, nga një njeri që besohet të jetë anëtar i klanit Rammos, një sindikatë kriminale arabe në Berlin. Fakti që burimi i kokainës ishte aq i njohur për hetuesit shpjegon edhe arsyen pse policia e vuri nën vëzhgim Rene F. dhe familjen e tij që në fillim.

Para se të bëhej tregtar droge, Rene F. dhe gruaja e tij jetonin me ndihmë sociale. Djali i tyre po mësonte të bëhej shitës makinash. Sipas hetuesve, asnjëri prej tyre nuk kishte ndonjë përvojë të mëparshme në tregtinë e drogës. Fakti që amatorë të tillë e filluan karrierën e tyre që në fillim me kokainë - më e shtrenjta nga të gjitha drogërat - thotë diçka për disponueshmërinë dhe kërkesën e lartë ndaj kësaj substance. Në mars mbaroi aventura e tyre e shkurtër si tregtarë droge. Rene u dënua me katër vjet e tre muaj. Të tjerëve iu dha lirim me kusht. Të gjithë u deklaruan fajtorë.

Hetuesit

A ishte vallë kjo një fitore e denjë për t’u festuar nga hetuesit? As që duhet marrë mundimi, thonë disa. Në qytetin-port të Antwerpit në Belgjikë, bëhet shaka me rrugën e shkurtër që hetuesit kanë bërë në drejtim të luftës ndaj trafikut të kokainës: “A e dëgjuat? Ata gjetën dje disa banane të paketuara në arka kokaine në port.”

Është një përpjekje banale për të bërë humor, por tregon shumë për situatën në Antwerp. Të gjitha thonë se lufta ndaj trafikut të kokainës është e humbur, si në zyrën e BE-së në Lisbonë, ashtu edhe në Antwerp. Antwerpi ka humbur.

Megjithëse shumë drogëra hyjnë në Europë përmes Afrikës dhe Spanjës, qyteti – port i Belgjikës konsiderohet qendra kryesore e kokainës në Europë. Madje ia kalon edhe Roterdamit dhe Hamburgut. Nga 150 tonë kokainë e konfiskuar në Europë në vitin 2018, 51 u sekuestruan nga hetuesit në Antwerp. Këtë vit, deri në fund të tetorit ajo shifër ishte rritur me 42 ton. Çdo hetues e di që kjo nënkupton vetëm një gjë: Kontrabandistët përpiqen ta fusin mallin në këtë qytet më shumë se kudo tjetër, dhe askund tjetër nuk ia dalin më lehtë se aty.

Porti që kontrabandistët pëlqejnë më shumë është më i madhi në botë për sa i përket sipërfaqes. Ai mbulon 120 kilometra katrorë dhe është krijuar për t’i kaluar kontejnerët sa më shpejt të jetë e mundur. Rreth 7 milion prej tyre kalojnë nëpër Antwerp çdo vit. Asgjë nuk lejohet që ta prishë shkëlqimin e këtij porti. Shpejtësia, thonë hetuesit, është më e rëndësishme se sa siguria. Dhe një grup pune prej 40 policësh nuk mund të bëjë shumë për të ndryshuar situatën. “Çdo gjë në port që është e mirë për ekonominë, sjell gjithashtu përfitime për kriminelët”, thotë Manolo Tersago, oficeri i task-forcës. Kur e pyesim se çfarë mund t’i nevojitej për të bërë një ndryshim më të madh, ai përgjigjet: më shumë personel, ‘sa më shpejt të jetë e mundur’. Ai thjeshtë nuk ka burime të mjaftueshme për të kërkuar drogën, para si dhe  njerëz.

“Prej vitesh në këtë port futen kartele nga Shqipëria dhe Maroku”, ankohet një oficer i antidrogës. Qysh në vitin 2017, një raport konfidencial nga policia e Antwerpit e përshkroi portin si një enklavë mbi të cilën shteti kishte hequr dorë nga kontrolli mbi mafien e drogës. "Ata nuk tremben nga asgjë", madje as kur bëjnë kërcënime me vdekje kundër oficerëve të policisë, thotë kryeinspektori Tersago.

Korruptimi i punonjësve të portit

Por gjërat nuk kanë nevojë të shkojnë aq larg. Gangsterët fitojnë aq shumë para ‘sa mund të blejnë kë të duan’, thotë Tersago. Dhe ashtu bëjnë. Rreth 60 000 njerëz punojnë në port. Madje bandat rekrutojnë njerëz në kafene dhe palestra. Ata janë gjithmonë në kërkim të njerëzve që mund t'i ndihmojnë të nxjerrin produktin nga kontejnerët. Një vinçieri kontenierësh i duhen vetëm disa minuta për ta transportuar një kuti çeliku në një destinacion që do duhej dy orë për të arritur, por sipas Tersagos, kjo do t’i sillte vinçierit një fitim prej 25 000 deri në 75 000 eurosh.

Një fitore e madhe për trafikantët është të korruptojnë atë që quhet edhe si selektuesi, doganieri i cili vendos për kontrollimin ose jo të një kontejneri që sapo është shkarkuar. Një burrë që ka punuar në Portin e Roterdamit fitonte 250,000 euro për çdo 100 kilogramë kokainë që linte të kalonte. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Pasi ai u arrestua në vitin 2015 tha se “ata njihnin gjithçka rreth meje, madje edhe shkollën ku shkonin fëmijët e mi”.

Një oficer dogane i korruptuar – çfarë mund të ishte më mirë për sindikatën e kriminelëve? Në fakt, biznesi nuk do të shkonte edhe aq vaj pa ata. Pa një orientim se ku duhet të kontrollojnë, hetuesit mund të humbasin lehtësisht në thellësitë e hangarëve të anijes. Në fund të shtatorit të kaluar, tre oficerë doganorë u ngjitën në barkun e një anije kontejnerësh 300 metra të gjatë në Hamburg. Atyre iu desh të përdornin një trapan 30 milimetrash me goditje për të liruar 20 bullonat që mbërthenin kapanxhën e çisternës. 5 minuta më vonë e mbyllën. Dhe kjo ishte vetëm një kapanxhë.

Anija kishte me qindra kapanxha të tilla. Me mijëra hapësira boshe. Dhe këto pa llogaritur 14,000 kontejnerët kur anija ngarkohet plotësisht. Vetëm disa prej këtyre qindra anijeve vijnë dhe e shkarkojnë ngarkesën e tyre çdo vit. Kapaciteti vjetor i portit është 5.4 milion kontejnerë. Nëse njëri syresh është lart në kuvertën e ngarkimit, në rreshtin e dytë lart, i mbërthyer nga disa kontenjerë të tjerë, si mund ta arrijnë atë zyrtarët doganorë? “Shpesh herë nuk e arrijmë dot”, pranon njëri prej tyre.

Sigurisht, ata mund ta ulin sërish poshtë atë. Si në të gjitha portet e mëdha, programet kompjuterike i shenjojnë kontejnerët e dyshimtë. Ata kontrollojnë nëse kontejnerët janë nga Amerika e Jugut, çfarë transportohet në to dhe cila kompani po i importon ata në Europë. Zyrtarët doganorë mund ta transportojnë një kontenjer në një strukturë me rreze X, e cila mund të kontrollojë 100 të tillë në ditë. Por kjo kërkon kohë dhe nëse asgjë nuk gjendet, siç ndodh zakonisht, lind pyetja nëse ia kishte vlejtur barra qiranë. Edhe porti i Hamburgut e vlerëson shumë shpejtësinë.

"Në këtë punë duhet të jesh i aftë të humbësh", thotë zyrtari doganor. Fakti që ata bënë gjetjen më të madhe të të gjitha kohërave në Gjermani verën e kaluar - 4,5 ton – sigurisht, u ngriti moralin. Bënë festë kur kapën 20 kg kokainë. Por a ndodhi ndonjë gjë në treg pse u kapën 4.5 ton drogë? A u rritën çmimet për shkak se ka më pak furnizim? Sigurisht që jo.

"Megjithë sasitë rekord të sekuestruara, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm në sjelljen e autorëve", shkroi BKA në prill. Kjo "çon vetëm në një përfundim, se atyre nuk u ka hyrë akoma gjemb në këmbë". Günther Losse, kreu i njësisë doganore të Hamburgut, thotë: "Ne dyshojmë se pjesa pjesa më e madhe na ikën nga duart". BKA konfirmon: "Kjo do të thotë se sasi të mëdha kokaine hyjnë në tregun europian". Hetuesit bien dakord njëzëri.

Nuk ka zgjidhje të mira

Shumë zyrtarë të antidrogës thonë se shpresa për të fituar luftën ndaj trafikut të drogës është e vakët. Kreu i doganave në Hamburg, Rene Matschke, thotë, "Ne nuk ngatërrohemi kurrë me struktura fikse dhe prandaj nuk e dimë kush po bën importimin. Shefave u afrohemi rrallë." Andres Bastidas i Interpolit thotë: "është bërë shumë më e vështirë për të kapur peshkun e madh". Peter Keller, hetuesi kryesor i drogës në zyrën e doganave në Këln, thotë: "Ka shumë kokainë në treg dhe ajo që kapim ne është vetëm maja e ajsbergut".

Për këtë situatë të pashpresë duhet të fajsohen gjithashtu edhe politikanët. Byroja gjermane e hetimit të doganave thotë se ata "nuk janë interesuar më" për kontrabandën e drogës. Europol thotë të njëjtën gjë: Droga "është zhdukur prej kohësh nga rendi i ditës". Për shembull, në Antwerp, oficerët e policisë u tërhoqën nga porti pas sulmeve në Bruksel me qëllim për të ndjekur terroristët. Në doganat në Hamburg, më shumë se 10 përqind e punëve të inspektimit të anijeve nuk janë përmbushur. Duket se kërkimi për kapjen e punëtorëve në të zezë është një përparësi më e madhe për ta.

Në kërkim të përgjigjeve DER SPIEGEL iu drejtua Komisioneres federale gjermane për drogat, Daniela Ludwig. Ajo i sheh rrënjët e problemit shumë larg, në Kolumbi, dhe nuk ka asgjë për të thënë për Gjermaninë. Karl Lauterbach, eksperti i shëndetit i SPD-së, të paktën është i gatshëm të pranojë kritikat: "Hetuesit thjesht nuk kanë mjetet. Tema e drogës nuk ka marrë vëmendjen që meriton".

Kjo ka bërë që zëdhënësi i politikës së brendshme të Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic, të kërkojë më shumë para që do të ndahen jo vetëm për policinë, por edhe për arsimin dhe terapinë. Movassat, zëdhënësi i politikës së drogës së Partisë së majtë, propozon një zgjidhje shumë më radikale: Ai është për dekriminalizimin dhe një tregti të kokainës të kontrolluar nga qeveria - një taksë e përshtatshme. Ai thotë se kjo është mënyra e vetme për ta amortizuar fuqinë globale të narkotrafikut dhe për të bllokuar biznesin e tyre miliarda dollarësh.

Kjo do të ishte zgjidhja më radikale dhe më e dëshpëruara. Lufta kundër kokainës duket se është humbur prej kohësh, qoftë në fushat e Kolumbisë, porteve të Europës apo rrugëve të Berlinit. Orteku është këtu. Çfarë mund ta ndalojë atë tani?

Pjesa 1 këtu

*Përktheu për Politiko: Marsel Lela

Të fundit