”S’përballojmë dot fluksin”, ISHP i kërkoi një muaj më parë Manastirliut kryerjen e testeve në laboratorë të jashtëm

Një muaj më parë, më 8 qershor, Instituti i Shëndetit Publik i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrisë së Shëndetësisë, ku i kërkon që testimi për COVID-19 të kryhet në laboratorë jashtë këtij institucioni, të cilët janë të certifikuar nga Instituti.

Në dokumente të publikuara nga Euronews Albania theksohet se kjo çështje ka marrë përmasa emergjente.

ISHP nënvizon se në atë kohë, më 8 qershor, kishte kërkesa të shumta për testime, të cilat lidheshin kryesisht “për efekt dokumentacioni, apo udhëtime jashtë vendi”.

Pra, situata konsiderohej emergjente, por çfarë thonë shifrat në lidhje me pandeminë në atë kohë?

Më 8 qershor kishte 17 raste pozitive dhe në 24 orë ishin kryer 102 testime, ndërsa në total kishte 1,263 raste pozitive dhe 34 viktima.

Ndërsa sot, fiks një muaj pas kësaj shkrese, më 8 korrik, autoritetet kanë deklaruar 68 raste pozitive dhe në 24 orë ka kryer 397 teste, me në total 3,106 raste pozitive ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 83 vdekje.

Pra shifrat tregojnë për pothuajse trefishim të rasteve pozitive, pas trefishimit të testeve.

Euronews Albania pyeti zyrtarisht ministrinë e Shëndetësisë, e cila tha se “ka kapacitete të plota për kryerjen pa vështirësi të hetimeve epidemiologjike”, ndërkohë që shumë qytetarë po hasin vështirësi për kryerjen e testeve.

Megjithatë ministria nuk ka pasur një reagim konkret për këtë situatë.

Në përgjigje ndaj kërkesës së redaksisë, ministria thekson se “së shpejti do të hapet laboratori i QSUT-së” dhe se “janë 90 mijë teste në dispozicion”.

Lexo edhe: Tabela/ “Kemi mbi 90 mijë teste dhe strategji të suksesshme ”, por Shqipëria vijon të jetë e fundit në rajon