Spiropali: Fal Zotit nuk është gjallë Hitleri se Nobelin do e fitonte “Mein Kampf”-i

Ashtu si ministri Cakaj, edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shpreh zhgënjim të thellë për fituesin e çmimit Nobel në Letërsi.

“Nobeli për Letërsi iu dha Peter Handke, glorifikuesit të Millosheviçit, mbështetësit të genocidit kundër shqiptarëve të Kosovës, njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit. Fal Zotit nuk është gjallë Hitleri se Nobelin do e fitonte “Mein Kampf”-i. #TurppërKomitetin“, shkruan Spiropali në Twitter.

Peter Handke, shkrimtari austriak, 76 vjeçar, i cili fitoi Nobelin në Letërsi për vitin 2019 njihet për qëndrimet e tij kundër bombardimeve të NATO’s që sollën lirinë e Kosovës.

Emri i Handke u bë akoma më tepër i njohur dhe hapi debat në gjithë Europën pas pjesëmarrjes në funeralin e Slobodan Millosheviçit në vitin 2006. Në këtë funeral ai mbajti një fjalim jo të zakontë në serbisht duke folur për veten si një person “afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviçit”.