Statuja e Aleksandrit të Madh, pas Shkupit edhe në Athinë. Tani vetëm Tirana ‘mbetet pa gjë’

Një statujë e Aleksandrit të Madh do të zbulohet nesër zyrtarisht në Athinë. Statuja, vepër e skulptorit të njohur të shekullit 20, Yiannis Pappas, është vendosur në kryqëzimin e rrugëve Amalias dhe Vasilissis Olgas në qendër të kryeqytetit grek, raporton gazeta Kathemirini.

Vendimi për statujën 3.5 metra të gjatë të mbretit maqedonas u mor nga këshilli bashkiak i Athinës dhe kostot janë mbuluar nga familja e artistit krijues. Aleksandri vdiq në vitin 323 pK në moshë të re kur kishte krijuar një perandori që shtrihej nga Ballkani në Indi.

Statuja e mbretit të Maqedonisë është vendosur, në përmasa madhështore, edhe në kryeqytetin e ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë, që tashmë njihet me emrin Maqedonia e Veriut.

Aleksandri është një hero i antikitetit origjinën e të cilit e pretendojnë grekët, maqedonasit dhe shqiptarët, sipas të cilëve e ëma e strategut ushtarak, Olimpia, ishte epirote.

Ndër tre vendet pretendente, tani vetëm shqiptarët nuk kanë një statujë të Aleksandrit të Madh.