Flash News

OP-ED

Statuti i PD është i mirë, por e mira nuk ka fund

Statuti i PD është i mirë, por e mira nuk ka fund

Roland Bejko

Për të gjetur rehat me veten time e kam lexuar edhe njëherë statutin e ri të PD, dhe e kam krahasuar me disa statute paraardhës.

Kam lexuar dhe statute të Partive (simotra) Popullore Europiane dhe veçanërisht statutin e partisë “Les Republicains” të Francës që është hartuar një vit më parë dhe dola në përfundimin se:

  1. Statuti i PD që u miratua në Kuvendin Kombëtar krahasuar me statutet parardhëse është pa dyshim statuti më i mirë që PD ka pasur ndonjëherë.

Pse?

Sepse Statuti në frymën e tij ka për qëllim të sigurojë një KOHEZION liberal në funksionimin e brendshëm të PD në vend të DISIPLINËS si praktikë ndëshkuese që ka zënë vend dominant në statutet paraardhës.

Kjo do të thotë që statuti i ri nuk ngushton hapësirat e të shprehurit, të aderimit, të karrierës, apo të meritës, por thjesht përcakton disa RREGULLA të domosdoshme për t’u respektuar nga individët politikë që nuk i njohin limitet e tyre të shprehjes, etikës dhe veprimit politik për të mos dëmtuar interesat madhore të Partisë. (Jemi dëshmitarë të rasteve të shumta të abuzimit me LIRINË e fjalës dhe të qëndrimeve jo koherente dhe me kosto të mëdha elekrorale të drejtuesve të lartë të Partisë. Ju siguroj se, po të kishte ndodhur që anëtarë të kryesisë së Partisë të bënin atë deklaratë që u bë në kulmin e fushatës zgjedhore nga dy funksionarë të lartë të saj, te partia “Les Republicains” franceze, tashmë më e pakta do ishin pezulluar nga funksionet e tyre (shih nenin 30 të statuttit të kësaj partie).

Dihet botërisht sot se edhe në partitë më moderne e më demokratike, liritë e anëtarit të saj janë më të kufizuara se liritë e një qytetari të paangazhuar në politikë. Merita e një politikani inteligjent është të maksimëzojë veprimet dhe të shprehurit e tij në tërësinë e hapësirës së qarkuar partiake, pa e kaluar vijën e kuqe që të djeg e të nxjerr jashtë.

  1. Krahasuar në formë me statutin e Republikanëve francezë, statuti i PD është më i gjatë: Statuti i PD 28 faqe, i francezëve 11 faqe.

    Parë dhe krahasuar në përmbajtje nen për nen dhe si frymë, statuti ynë dhe ai francez janë pothuaj njësoj.

    I vetmi defekt është se statuti ynë është më detajist dhe i ngarkuar me sqarime të panevojshme në nene të veçanta. Shenjë që tregon se hartuesit e tij duket që kanë qenë të kompleksuar nga sulmet e oponentëve, prandaj, ndoshta, kanë qenë më të prirur të jepnin shumë “sqarime” për “ata”.

  2. Debati që u zhvillua për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë pas humbjes së zgjedhjeve ishte cinik dhe personal sepse, as në statutin e “Les Republicaine” nuk thuhet që pas humbjes së zgjedhjeve Kryetari duhet të largohet. Por, thuhet se ai kërkon konfirmimin për një mandat 3 vjeçar nga Kongresi më i parë.( Dhe delegatë të Kongresit janë gjithë anëtarët e partisë që gjashtë muajt e fundit janë regjistruar dhe kanë paguar kuotën përkatëse. Kongresi nuk është thjesht delegatët në sallë, por anëtari i kongresit voton elektronikisht nga shtëpia apo telefoni i tij për zgjedhjen e Presidentit të Partisë pa qenë fare në sallë). Kryetari ka të drejtë të rikonfirmohet nga Kongresi kur mbaron mandatin.
  3. Përfundim:

Statuti i Partisë Demokratike është një dokument juridik që përcakton parimet politike dhe ideologjike të partisë dhe shërben si koordinues i funksionimit të brendshëm të partisë me rregulla demokratike. Ai është një nga dhjetra modelet e statuteve demokratike të një partie moderne. (Personalisht do isha i kënaqur nëse në këtë statut do të ishte parashikuar vetingu dhe lustracioni, paçka se do merrte kohë dhe ndoshta do kish krijuar ca potere më shumë. Por, do t’i bënte nder brezave të ardhshëm dhe demokracisë).

Suksesi i Partisë varet nga vullneti pozitiv në interpretimin e statutit nga lideri, forumet, funksionarët dhe anëtarët e Partisë.

Po ju kujtoj se:

■ Sot ka parti tradicionale pushteti që kanë statute demokratike, por tashmë nuk janë më parti. (PS franceze, PASOK etj.)

■ Ka parti që pothuajse nuk kanë statute dhe sot ato janë parti në pushtet! (Partia e Macron, En Marche, Pesë Yjet, etj).

Pra, partitë i bën fituese fryma, programi, besimi dhe strategjitë elektorale mbështetur në rregulla të qarta statuore, vetëm statuti nuk mjafton për të ardhur në pushtet, sado demokratik që të jetë dhe sado me korrektësi të zbatohet.

Gjithë akuzat që thuhen nga kundërshtarët e Bashës, se ai me këtë statut mori në dorë partinë, në fakt, për demokratët dhe skeptikët është një lajm i mirë se të paktën këtej e tutje z. Basha nuk do akuzohet më se është një kryetar i dobët që vepron nën hijen e Berishës.

Tani radhën e ka z. Basha të dëshmojë që kjo tezë e artikuluar me naivitet nga kundërshtarët e tij është e vërtetë, sepse në fakt është shumë pozitive për të rritur besimin te mbështetësit e tij dhe në elektorat. Ai na paraqitet si i fortë nga kundërshtarët e tij, dhe natyra njerëzore e adhuron të fortin.

Basha tani duhet të bindë gjithkënd se është jo vetëm lider i fortë, por edhe modern, sepse për të tillë e mbështetën dy herë demokratët.

  1. Basha tani bastin e ka me vetveten. Ai duhet t’u japë një përgjigje të shpejtë dy dilemave që kanë për të gjithë qytetarët: Si do ta largojë Ramën nga pushteti, dhe çfarë oferte qeverisëse do t’ju ofrojë atyre për zgjedhjet e ardhshme?

Këto të dyja janë sfidat e tij të vërteta sot e tutje.

Të fundit