Flash News

KRYESORE

Statuti i Partisë apo i Profetëve?

Statuti i Partisë apo i Profetëve?

Dritan Shano

Partia si ujë që rrjedh apo si pellg me ujë të ndenjur. Përjetshmëria e politikanëve, në një vend më shumë oriental se perëndimor si Shqipëria, duhet kuptuar, me së paku si pengesa kryesore e ndryshimit kulturor në këtë vend. Pa ndryshimin e kulturës tonë totalitare kurrë nuk do zhvillohemi. Mjafton të shohim se kush ka qenë më gjatë e më rehat në politikë, me gjatë deputet, më gjatë ministër dhe ta vendosim këte listë “Profetësh politikë”, në krah të vlerësimit tonë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 27 vjet përkundrejt ku duhet të ishim.

Herën e fundit që kontrollova, 60% e shqiptarëve donin të iknin një orë e më parë nga Shqipëria. Në fakt, po ikin. Unë ende besoj tek politika dhe se ndryshimin në këtë vend mund ta sjellë vetëm PD, sepse PS-së i intereson e kundërta - ajo ka vetëm një ide totalitare të ngjizur, dhe me gravitet oriental . Mendoj se ndryshimi kulturor, i mendësisë sonë është i vetmi mjekim që na nevojitet për t’u zhvilluar.

Ky ndryshim nuk duhet penguar, por duhet lënë të ndodhë; ai vjen vetëm me qarkullimin e elitave në Partinë Demokratike. Dallimet ideologjike duhet të jenë jo vetëm të qarta por edhe të besueshme. Për këtë, Partia e ekonomisë së tregut nuk mund të qëndrojë mbi Monopole përfaqësimi. Ky është mashtrim, dhe njerëzit e kuptojnë këtë gjë. Ndryshimi duhet të ndodhë sipas rregullave të qarta për të gjithë. Statuti i Partise duhet të garantojë qarkullimin e elitave, dhe jo të krijojë cepa e xhepa ku mbijetojnë dhe vazhdojnë i “japin” Partisë, më gjatë edhe se Profetët biblike, të njëjtët fytyra, të njëjtat mendime, të njëjtat skema, intriga, të njëjtat performanca.

Të paktën në letër të garantojmë që uji ynë politik rrjedh dhe është gjithnjë i freskët dhe jo të mbetet një pellg me ujë të ndenjur. Për këtë nuk ka pse mos shkruhet në statut se:

- Askush nuk mund të vazhdojë t’i japë Partisë kontribut si Kryetar për më shumë se 3 mandate. Kontributi i metejshëm si anëtar i thjeshtë dhe funksionet që mund të mbulohen nga ky status janë të mirëpritura.

- Askush nuk mund të vazhdojë t’i japë Partisë kontribut si deputet/ministër për më shumë se dy mandate. Kontributi i metejshëm si anëtar i thjeshtë dhe funksionet që mund të mbulohen nga ky status janë të mirëpritura.

*1 mandat = 4 vjet.

Punë të mbarë, kush është duke u marrë me statute kësodore!

Të fundit