Flash News

KRYESORE

Stoltenberg: Dyert e NATO-s të hapura për Maqedoninë

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg prej të mërkures në mbrëmje shkoi në Shkup, ku ua ka bërë me dije zyrtarëve të lartë shtetërorë se dyert e aleancës mbeten të hapura për Maqedoninë, por se më parë duhet zgjidhur çështja e emrit.

Ai tha se aleanca do t’i bëjë ftesë Maqedonisë për anëtarësim pasi ajo ta ketë zgjidhur çështjen e emrit të saj me Greqinë. Nga ana tjetër, ai e hedh poshtë mundësinë që Maqedonia të anëtarësohet me referencën aktuale si Republika Ish-jugosllave e Maqedonisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos duke iu drejtuar deputetëve në parlamentin e Maqedonisë përshëndeti vazhdimin e bisedimeve në mes dy palëve, Greqisë dhe Maqedonisë për gjetjen e një zgjidhjeje të emrit.

Ai tha se të gjitha vendimet brenda aleancës merren me konsensus.

Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për arritjet e Maqedonisë në kuadër të reformave që do ta çonin vendin drejt integrimeve euro-atlantike, ne veçanti u shpreh me tone pozitive për stabilizimin e gjendjes në vend pas krizave politike.

“Ende ka vende për flamuj të tjerë në shtizat para selisë së Natos në Bruksel”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, duke shtuar se Nato dëshiron që Maqedonia të jetë e suksesshme.

Megjithatë, ai theksoi se mbetet ende punë për t’u bërë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka theksuar përpjekjet që po bën qeveria e tij për kapërcimin e pengesave si në aspektin e integrimeve, po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e shoqërisë.

Stoltenberg edhe me drejtuesit politikë, ka diskutuar mbi çështjet e lartpërmendura. Ai takoi veç e veç kryetarët e VMRO-DPMNE-së dhe të BDI-së, Hristian Mickovski dhe Ali Ahmeti.

Shefi i Natos më herët mbajti takime edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes në qeverinë e Maqedonisë.

Jens Stoltenberg me zyrtarët në Maqedoni ka disutuar edhe mbi zhvillimet në rajon, ndërkohë që ka theksuar se rajoni tashmë është i qëndrueshëm dhe nuk është më “fuçi baruti” dhe se Natoja po e vëzhgon situatën këtu dhe po angazhohet që rajoni i Ballkanit të qëndrojë i qetë./Voa

Të fundit