Flash News

KRYESORE

Strategjia e Ramës për të stepur gazetarët e huaj. “Krimi dhe droga janë racizëm” mos më pyesni

Strategjia e Ramës për të stepur gazetarët e huaj.

Tani që mediat dhe gazetarët shqiptarë i ka paralizuar duke i quajtur çdo ditë “kazan”, kryeministri Edi Rama po kërkon të veprojë njësoj edhe me gazetarët e huaj sa herë ata e pyesin për problemet me drogën dhe krimin në Shqipëri, si dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Në një intervistë të dhënë për gazetën austriake “Der Standard”, Rama i ka konsideruar racizëm të dhënat se Shqipëria është kthyer vitet e fundit në prodhuesen më të madhe të kanabisit në Europë, ndërkohë që krimi shqiptar në BE po forcohet çdo ditë.  

“Kjo është një çështje e mbyllur, nuk ka një problem real me këtë. Rezultatet e monitorimit do të tregojnë në fund të muajit, se kanabisi është  zhdukur nga toka e Shqipërisë. Ka vetëm disa pika të vogla, shumë më pak se sa kultivohet në vende të tjera të Europës. Është  bërë e zakonshme të flitet për “krimin shqiptar”, por kjo është raciste”, i ka thënë Rama gazetares austriake, sipas ATSH.

Por më shumë se patriotizëm, Rama po përdor një strategji të mirëfilltë për të stepur gazetarët e huaj për të mos e pyetur më për problemet me kanabisin dhe krimin. Tashmë që Shqipëria është gjithnjë e më shumë në vëmendjen e medieve austriake dhe gjermane, por jo vetëm, Rama do e përdorë edhe më shumë ‘kartën e racizmit’ sidomos me ata gazetarë që vijnë nga vende me të kaluar të vështirë në këtë drejtim. Racizmi është një temë delikate në Europë dhe shumë gazetarë përpiqen të jenë të kujdesshëm në trajtimin e kësaj çështje.

Më shumë se kushdo, vetë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për kanabisin që prodhohet në vend, si dhe për krimet që kryhen në Europë, që nga ‘skifterët’ e Italisë dhe deri te bandat e rrezikshme në Holandë dhe Britaninë e Madhe.

Përpjekja e parë e Ramës për të etiketuar raciste çdo akuzë për kanabisin dhe kriminelët shqiptarë është bërë më 26 gusht të këtij viti, kur në krah të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, në Durrës, kryeministri tha: “Kriminelët janë kriminelë, duhet të përgjigjejn kudo përpara ligjit. Refuzoj me forcë çdo përpjekje për të treguar me gisht një të ashtuquajtur krim shqiptar apo krim ballkanik”.

Kjo deklaratë u bë pak ditë pasi policia holandeze i kishte dorëzuar qeverisë së saj një raport ku argumentohej se ishte rritur me shpejtësi numri i shtetasve shqiptarë që kryejnë krime në atë shtet.

Të fundit