Flash News

KRYESORE

Studentët letër Nikollës me katër kërkesa: Afat deri nesër

Këshillat Studentorë të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një letër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ku bëjnë të ditura katër kërkesat e tyre sa i takon protestës së zhvilluar ditën e sotme.

Kërkesa e parë lidhet me shfuqizimin e VKM-së ku parashikohet që studenti duhet të paguajë tarifën e krediteve për lëndët përsëritëse, si dhe kërkojnë që në Bordin e Administrimit të IAL-ve të shtohet dhe një përfaqësi e studentëve.

Gjithashtu, studentët kërkojnë përmirësim të kushteve të konvikteve, si dhe përgjysmim të tarifës së studimit.

Në kërkesën drejtuar Nikollës ata thonë se janë në pritje të përgjigjes deri ditën e nesërme në orën 16:00.

Letra

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,

Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla

Përgatitur nga: Këshillat Studentore të Universiteteve Publike.

Duke u nisur nga deklarata e bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ne organizatoret e protestës së sotme si përfaqësues të Këshillave Studentore vendosëm tju paraqesin këto kërkesa:

  1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë: Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
  2. Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
  3. Përmiresimi i kushteve të konvikteve.
  4. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë)

Afati i kthimit të përgjigjes ndaj kërkesës sonë është ora 16:00 datë 06.12.2018

 

 

 

Të fundit