Studentët kanë protestuar për 17 ditë rresht, nga data 4 deri më 21 dhjetor, para Ministrisë së Arsimit, Kuvendit dhe Kryeministrisë për një arsim më cilësor dhe me kushte më të mira.
Gjatë protestës, çfarë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, ka qenë kreativiteti i studentëve, të cilët kanë realizuar pankarta vërtetë të goditura, me mesazhe të forta dhe me pak ironi e humor.
Sot, ata kanë vendosur t’i rikthejnë pankartat para Kryeministrisë në një ekspozitë, ku mund t’i shikojnë të gjithë ata që i kanë pëlqyer dhe vlerësuar gjatë protestës paqësore, që pritet të rifillojë në janar, sipas paralajmërimeve.
Simbolika e kësaj ekspozite është sjellja edhe njëherë në vëmendje e memeve që kanë bërë më shumë përshtypje në rrjetet sociale dhe në media.
“Duke qenë se ato janë pëlqyer shumë nga njerëzit vendosëm t’i risjellim edhe njëherë sot në këtë ekspozitë”, shprehet një studente për Politiko.al.
“Nuk po them është një lloj nostalgjie, sepse protesta do vazhdojë, është akoma aktuale dhe do të jetë akoma më masive në janar”, vijon ajo duke theksuar edhe një herë rikthimin e protestës.
Discussion about this post