Studimi, “ethet tropikale” mund të transmetohen edhe seksualisht

Shkencëtarët kanë zbuluar se sëmundja e etheve tropikale, e cila merret nga pickimi i një lloj mushkonje, mund të transmetohet edhe seksualisht.

Disa studiues në Itali testuan spermën e një burri që mori sëmundjen gjatë kohës që ishte me pushime në Tajlandë dhe dolën në përfundimin se “ethet tropikale” mund të merren edhe nëpërmjet kontaktit seksual.

Kjo do të thotë se mund të ketë një shans të transmetimit të virusit seksualisht, edhe pasi personi mbartës mund të jetë përmirësuar.

Ethet tropikale shoqërohen me temperaturë dhe ethe akute të pashpjegueshme të cilat zakonisht janë të padëmshme.

Shumica e njerëzve shfaqin simptoma të gripit si dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të nyjeve.

Megjithatë, vetëm një ose dy për qind e këtyre rasteve në të vërtetë bëhen të rënda, por lajmi i keq është se nuk ka akoma një kurë të njohur për këtë sëmundje.