Flash News

KRYESORE

Studimi/ Vetëm 4% e shqiptarëve nuk do të përfshiheshin kurrë në një aferë korruptive

Shqiptarët konsiderojnë si më pak të korruptuar në shoqëri mësuesit, gazetarët dhe mjekët, ndërkohë që administrata publike vazhdon që të shikohet si mjaft problematike. Ky është përfundimi i studimit të qendrës për Kërkime Ekonomike, që sërish sivjet mati perceptimin e korrupsionit nga opinioni publik.

Referuar studimit, 44,8 për qind e qytetarëve të anketuar pranuan se kanë pasur presion dhe u është kërkuar ryshfet nga ana e zyrtarëve publikë për zgjidhjen e një problemi.

“Grupet e perceptuara si më të korruptuara nga publiku vazhdojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, nëpunësit e doganave dhe tatimeve, nëpunësit e administratës së drejtësisë, partitë politike dhe drejtuesit e tyre. Mbeten edhe këtë radhë e njëjta renditje; pra nuk ka një rikthim të besimit të publikut ndaj këtyre institucioneve, edhe pse reforma e shpallur me bujë pritet të japë frytet, po ndoshta është në fillimet e veta” - tha Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe një nga autorët e studimit për “Zërin e Amerikës”.

Shqetësues është fakti se afro gjysma e qytetarëve të anketuar u shprehën që administrata i ka bërë presion për ryshfet në këmbim të shërbimeve publike. Po ashtu gjysma e të anketuarve pohuan se kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime publike dhe gati gjysma e qytetarëve të anketuar pohuan që ishin gati të bënin të njëjtat presione korruptive, nëse do të këmbenin vendet me zyrtarin publik.

4 % deklarojnë se nuk do të përfshiheshin kurrë në një aferë korruptive, por mbi 20% e të anketuarve kanë ende shpresë në çrrënjosjen e korrupsionit.

“Janë më shumë se sa 1/5, ose 22% e të intervistuarve që deklarojnë me besim se korrupsioni do të mund të çrrënjoset. Ky është një tregues në krahasim me matjet e mëparshme dhe që jep shpresë se zbatimi i reformës në drejtësi, siç u mbështet fuqishëm nga SHBA dhe BE, është një mundësi e mirë që kjo dukuri të ndëshkohet” - tha zoti Preçi.

Referuar studimit, korrupsioni i vogël me dhurata nën dorë ia ka lënë vendin korrupsionit të lartë e të sofistikuar nëpërmjet kontratave të pakuptueshme dhe marrëveshjeve të fshehta.

Të fundit