Flash News

KRYESORE

'Stuhia perfekte' dhe pushteti pa çadra

'Stuhia perfekte' dhe pushteti pa çadra

Gentian Gaba

Kuptohet që, jo gjithçka që ndodh nën këtë diell, apo nën këtë shi, mund t’i atribuohet qeverisë ose kryetarëve të bashkive. Këto orë të vështira janë një fatkeqësi për çdo qytetar, nga bariu më i vetmuar në malet e Shqipërisë te Kryeministri i vendit. Nuk është as momenti për të nisur një “blame game’ (lojën e fajit), as një gjueti shtrigash, dhe as një garë për të fituar çmimin “shpëtimtari i ditës’.

Hesapet, si në çdo rast, lahen në fund.

Tani duhet punë, solidaritet dhe shumë fat. Duhet një punë e përkryer për të mos humbur më jetë njerëzore. Duhet solidaritet për t’i bërë ballë vështirësive në orët në vijim, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur një kohezion në këtë moment delikat. Mbi të gjitha, duhet që fati mos të ndëshkojë akoma më shumë paaftësitë kronike, veprimet dhe mosveprimet, që emergjenca të tilla nxjerrin në pah; “perëndesha me sy të mbyllur” ka më shumë në dorë se Rama, Xhaçka, Veliaj, e kështu me radhë.

Por, në gjithë këtë katrahurë meteorologjike; përballë jetëve të humbura, dëmeve materiale, rrezikut iminent nga paparashikueshmëria e reve të fryra nga kjo 'stuhi perfekte'; godet protagonizmi i mazhorancës. Të mos keqkuptohemi, qeveria dhe kryetarët e bashkive e kanë për detyrë të monitorojnë situatën, të ndjekin nga afër zhvillimin e ngjarjeve, të ofrojnë, sipas postit dhe tagrit, zgjidhjet e tyre, të komunikojnë me qytetarët për t’ju dhënë udhëzime dhe për të ngjallur pak shpresë. Këto janë detyrat e një politikani, kontakti me qytetarët është i domosdoshëm.

Problemi është se ditën e sotme, sikurse ka ndodhur në katër vitet e shkuara me mazhorancën e pushteti qendror edhe lokal, është dëshira e papërmbajtshme për ta shoqëruar çdo akt publik me një teatralitet të studiuar në detajin më të vogël.

Në shfaqjen e radhës, elementi që ra në sy për mungesën, në një kontekst ku do të ishte mëse i domosdoshëm, sikurse është në një ditë më reshje të shumta për çdo njëri, është çadra. Çadra, disa e njohin si ombrellë, është një mjet për t'u mbrojtur nga shiu, e përbërë prej një pëlhure të nderur mbi tela të hollë, që hapen dhe mbyllen rreth një shkopi, zakonisht me dorezë. Dyshojë se antarët e mazhorancës nuk janë të njohur me këtë send, as që nuk kanë të holla për të blerë disa të tilla në raste shiu. Ata/ato zgjodhën të dalin pa çadër. Sfidues ndaj shiut që po tremb shqiptarët. Me flokët e lagura, me sytë e picërruar nga pikat e ujit, rrobat të qullta që kullonin dhe çizmet e lastikut të nxira nga balta. Këto imazhe i pamë në televizione dhe rrjetet sociale, dhe këtë mesazh deshën të na jepnin.

Me lagien e tyre  kërkojnë të nënkuptojnë përkushtim dhe vetmohim; dalin pa çadër për të treguar se lagia është hiçgjë përballë përmbytjes tonë; fytyrat e tyre të njomura ofrojnë një mimikë të pikëlluar nga pafuqia përballë forcës së natyrës, gati në empati totale me atë që i është mbytur shtëpia, i ka vdekur një i afërm ose i ka ngordhur bagëtia.

Por jo, fatkeqësisht, nuk është kjo, është diçka më e thjeshtë. Është vetëm teatri që vijon, një tjetër spektakël nga më të mirë mjeshtrat e komunikimit, në një ditë jo të mirë për shqiptarët.

Ndoshta, për shumëkënd, ky gjest nuk meriton këtë vëmendje; ndoshta çadra është problemi i fundit, ose thjesht teka e një personi që kërkon të gjejë defektin në çdo gjest. Por, nëse kuptojmë gjendjen e rëndë në të cilën kjo stuhi ka vendosur qytetet dhe fshatrat, jetët e humbura, dhe shpatën e Damokleut për ata mijëra ende në rrezik; të mendosh për PR-in kur godet stuhia, dëshmon shumë, madje gjithçka për këtë mazhorancë.

Pra, problemi është se mendja shkon më shumë te komunikimi; te si dukemi, jo si jemi dhe çfarë bëjmë, domethenë te magjia e zezë e spin-it; se sa të shkojë tek ato pak punë që do ta kishin zbutur impaktin e stuhisë. Por, kjo është një temë tjetër, sikurse thashë në fillim, hesapet lahen në fund; tani të shijojmë shfaqjen.

Na priftë e mbara! 

Të fundit