Super betejë në Bologna, Lukaku shpëton Interin në fund

Lukaku ishte blerja më e bujshme e Interit në merkaton e verës dhe… Conte kishte të drejtë që e mori! Sulmuesi belg po bën gola dhe po i jep një hov krejt tjetër skuadrës zikaltër me lojën e tij, ashtu si sonte në Bologna.

Me dy gola, njërin me penallti në minutat e fundit të takimit, këtë të shtunë Lukaku i dha fitoren 2-1 Interit, duke treguar edhe një herë forcën dhe ndikimin e tij në fushë, kur është në formë të mirë.

Goli i Sorianos në të 59′ i befasoi zikaltrit, sidomos pas një pjese të parë shterpë dhe me plot probleme në gjysmëfushën e vendësve. Gjithsesi, skuadra e Interit reagoi shpejt dhe mori një fitore të madhe në transfertë.

Për momentin Interi merr vendin e parë në tabelën e klasifikimit, me Juventusin që ka një ndeshje më pak.