Flash News

KRYESORE

Super-operacion në Europë, arrestohen 64 anëtarë të ‘mafies shqiptare’

64 persona, pjesë e rrjetit të krimit të organizuar shqipfolës, janë arrestuar në tre shtete të Evropës. Në njoftimin e shpërndarë nga ‘Europol’, flitet për goditjen e ‘mafies shqiptare’ që është kthyer në shqetësim për kontinentin.

55 persona janë arrestuar në Blegjikë, 7 në Holandë dhe 2 në Francë, ndërkohë që operacioni është drejtuar nga autoritetet belge më bashkëpunim me autoritetet holandeze, italiane, franceze dhe britanike.

Operacioni është realizuar më 3-5 prill dhe ka përfshirë më shumë se 600 oficerë në pesë shtete të ndryshme. Të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e drogës, qenieve njerëzore, prostitucionit dhe pastrimit të parave.

Ata dyshohet se kanë krijuar plantacione të mëdha kanabisi në Belgjikë dhe në veri të Francës, si dhe janë përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore në Francë.

Europol nuk njofton për ndonjë bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë, qoftë në shkëmbimin e të dhënave, në organizimin e këtij super-operacioni.

Në fund të njoftimi të ‘Europol’ thuhet: “Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të mbetet një shqetësim për vendet në Evropë, një kërcënim që Europol e merr shumë seriozisht. Në mars, ekspertët mbi krimin e organizuar shqipfolës u mblodhën në selinë qendrore të Europol në Hagë për të diskutuar mënyrat për t'i trajtuar më mirë këto klane multi-kriminale të tipit mafioz. Operacionet e mëtejshme të këtij lloji pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt.”

Të fundit