Surprizon Arjan Çani: Rama qeveris me Bashën pas 25 qershorit. Rakipi: Nëse po, kryeministri nuk ndryshon

Gazetari Arjan Çani beson se kryeministri Edi Rama do të qeverisë me Lulzim Bashën pas 25 qershorit, edhe nëse merr 71 deputetë. Sipas Çanit, PS dhe PD kanë një presion të madh nga jashtë për të qeverisur së bashku, në mënyrë që nga Shqipëria të mos krijohen probleme për kancelaritë e huaja.

“Mjafton që të shikojmë një reagim të eurodeputeti Hahn, ku thoshte që po shkojmë drejt bipartizmit. Evropa sot, Angela Merkel po i thotë Bashës që ka mundësi që të bashkoheni sepse kemi halle të tjera dhe boll u morëm me ju se na çatë kokën. Kam përshtypjen se ka një presion nga jashtë. Këta u ulën dhe i ranë lapsit hajde të heqim qafe ilir Metën. Priten surpriza të mëdha. Rama ka gjasë që të jetë kryeministër, ka më shumë shanse ka më shumë opsione. Unë prapë mendoj se Rama nuk do të bëjë me Metën koalicionin. Unë kam përshtypjen se edhe po i bëri 71 mandate Rama do ta bëje me Bashën bashkëqeverisjen. Nuk është kaq kollaj te hysh në politikë. Nëse do të jene te fortë Ben Blushi dhe Ilir Meta që të bëjnë një opozitë shumë të fortë”, tha Çani në emisionin “Studio e Hapur”.

Gazetari Ylli Rakipi u shpreh se nëse ekziston një marrëveshje e tillë, atëherë kryeministër do të vazhdojë të jetë Edi Rama. Rakipi tha se Rama me Bashën u bashkuan për të eleminuar LSI-në.

“Në një mbrëmje ku Duka dhe Mediu ishin takuar bashkë befas mbërriti Rama tha dilni jashtë dhe u mbyll me Bashën për 5 orë. Këta kanë marrë veprim për të eliminuar LSI. Kemi vetëm veprime mafioze ku u godit një forcë politike që mbajti 4 vjet në pushtet Sali Berishën dhe 4 vjet mbajti Edi Ramën. Nuk ka vend perëndimor ku 1 muaj para zgjedhjeve largohen nga puna njerëz si rezultat i një marrëveshje. Në këtë takim nuk ka një konkluzion dhe shqiptarët nuk dinë çfarë ka ndodhur. Nëse ka një marrëveshje PD-PS për të qeverisur mendoj se kryeministër do jetë Rama, pasi Basha u zgjua pak vonë. Sipas meje sipas sondazheve që shohim, konkluzioni kërkon të jetë kryeministër i vendit. Dhe ai thotë “aritmetika e pashpirt e të vegjëlve”. Aritmetika e pashpirt kunder Metës dhe Idrizit”, tha Rakipi në emisionin “Studio e Hapur”.