Flash News

KRYESORE

Tabaku: Rilindja të befason me llogaritë, ekonomia në vend praktikisht ka ndaluar

Tabaku: Rilindja të befason me llogaritë, ekonomia në vend

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë Rama se ndërsa ka prodhuar rezultate befasuese me votimet e 30 qershorit, të njëjtën gjë e ka bërë edhe me shifrat me ekonominë.

Por duket se në rastin e dytë llogaritë nuk dalin sipas saj.

“Për vite me radhë shpëtimtari i PBB-së dhe rritjes ekonomike ka qenë “shiu” por edhe investimet e huaja direkte të sigurara për Shqipërinë 6 vjet më parë. Që nga viti 2013 e deri më sot qeveria Rama nuk ka siguruar as edhe një investim serioz ndërkombëtar. Rritja prej 2.21%, që për qeverinë ishte shumë e kënaqshme, është 2% më e ulët se sa një vit më parë dhe ka nisur një kurbë rënëse të cilën e shmangu që nga viti 2013 vetëm si pasojë e zotit dhe TAP dhe Devoll.”, shkroi ajo në profilin saj në Facebook.

Problem për ish deputeten e PD-së është edhe rënia e konsumit.

“Për dy tremujorë me radhë konsumi ka rënë me rënie prej 0,76 %. Dhe kur tendenca përsëritet sigurisht që është problematike. Kjo rënie e konsumit vjen prej emigrimit masiv, taksave të larta, vendosjes se TVSH për biznesin e vogël që sic vetë të dhënat e MF tregojnë nuk rezultoi në rënie informaliteti por veç mbyllje biznesesh si dhe perspektivës së keqe ekonomike dhe perceptimit negativ për ekonominë.

Fasada ka rënë kudo, dhe në ekonomi dhe ato 85% të shqiptarëve që nuk kanë votuar kanë refuzuar dhe këtë model qeverisje e këtë sistem të ngritur nga rilindja.”

Tabaku shton se ekonomia në vend ka nevojë të marrë frymë me politika të qarta zhvillimi.

“Kjo mazhorancë është e papërgjegjshme dhe me votimet e 30 qershorit tregoi që është një pakicë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve iu shmang farsës së saj, 85% e shqiptarëve i treguan qeverisë se vizioni i saj ekonomik është vizioni i pakicës, ndërsa qindra mijëra fletë votimi me dedikime ndaj qeverisë qenë shenjë se edhe administrata socialiste është kundër “skllavërisë” moderne që po aplikon kjo mazhorancë.”, përfundoi Tabaku.

Të fundit