Flash News

KRYESORE

Tabaku tregon lidhjet e qeverisë me kompaninë që i bllokoi 550 tonë naftë

Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se qeveria shqiptare gënjen kur thotë se punon në shërbim të qytetarëve. Ajo iu referua rastit të sotëm, ku u bllokuan 550 tonë naftë.

“Me kamerat e përgatitura siç duhet, me skaletën e shkruar qeveria edhe sot na informoi se po punon në shërbim të qytetarëve. Nga rafineria e Naftës Ballsh e dhënë me koncesion Tosk Energji, kjo e fundit e lidhur me Guvnor dhe kompaninë e falimentuar IRC, qeveria pompoi suksesin e radhës të bllokimit të 550 tonëve naftë, por nuk ka as guximin të përmendë emrin e kompanisë!”, shkroi Tabaku në profilin saj në Facebook.

Ajo shtoi se në realitet, qeveria shqiptare e ka ndihmuar kompaninë Tosk Energji financiarisht.

“Të njëjtës kompani që pak vite më parë i kanë falur 60 mln euro detyrime dhe që jo me larg se disa dite më parë e kanë rimbursuar me 114 mln lekë për akcizën me një total rimbursimi prej 12 mln usd. Një pagesë e kryer shpejt në shërbim të firmës edhe në ditët kur detyrimet e prapambetura po rriten dita ditës në kurriz të bizneseve të tjera. Në një moment kur bllokohen fondet e bashkive, pagat nuk paguhen gjenden para për të paguar me urgjencë rimbursimin e akcizës kësaj kompanie. Me sa duket qeveria do ketë investuar propagandën e saj në këmbim të një pjese të vogël nafte të sekuestruar.”

Ish deputetja e PD-së vuri në dukje faktin se qeveria vazhdon të thellojë gropën e të ardhurave.

“Sipas të dhënave fiskale edhe në muajin korrik të ardhurat vazhdojnë të jenë po aq të ulëta sa muajt e tjerë. Sa më shumë qeveria përpiqet të prodhojë realitetin e munguar aq më shumë ulëret e vërteta e zaptimit të pushtetit nga një grusht I vogël biznesesh.”

Të fundit