Tabelat/ Shqiptarët skeptikë rreth integrimit në BE dhe institucioneve të reja të drejtësisë: Gjykatat më të korruptuarat  

Përgjatë viteve të fundit siguria ka dalë sërish në pah si problem i rëndësisë më të madhe në shumë fusha dhe nivele.

Në nivelin kombëtar, shqetësimet lidhur me krimin e organizuar, korrupsionin, radikalizmin kanë influencuar vazhdimisht politikat, vendimmarrjen dhe veprimet qeveritare. Dështimet e vazhdueshme në mposhtjen me efektivitet të konglomeratit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sollën ndërmarrjen dhe zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse të drejtësisë.

Por cili është perceptimi i qytetarëve lidhur me disa nga problematikat që vazhdojnë të jenë ‘kryefjalë’ jo vetëm e mediave, por edhe thirrjeve të faktorit ndërkombëtar.

Në edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë Shqipëri me anën e suportit të Fondacionit Friedrich-Ebert, Zyra Tiranë qytetarëve iu drejtuan një seri pyetjesh në lidhje me pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit: (1) reforma në administratën publike, përforcimi i profesionalizmit dhe de-politizimi i saj, (2) përforcimi i pavarësisë, efiçencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë, (3) lufta kundër korrupsionit, (4) lufta kundër krimit të organizuar, (5) përforcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i politikave kundër diskriminimit dhe implementimi i të drejtave të pronës.

Qytetarët janë shumë të vetëdijshëm lidhur me pengesën që i bën procesit të anëtarësimit në BE korrupsioni dhe krimi i organizuar.

86.55% e të anketuarve u përgjigjën që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë arsyet kryesore për mungesën e progresit përsa i përket integrimit në BE, dhe një pjesë tjetër prej 9.42% mendojnë se këto elementë kanë ndikim negativ deri në njëfarë mase. Në total kjo përbën 95.97% të të anketuarve në total.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Megjithatë shumica janë skeptikë ndaj mundësive të fitimit të luftës kundër këtyre fenomeneve. 50.4% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet kurrë, ndërsa 46.37% mendojnë të kundërtën.

 

 

 

 

 

 

Madje, vlen të përmendet që të anketuarat femra janë edhe më skeptike se meshkujt përsa i përket perspektivës së fitimit të luftës ndaj krimit të organizuar.

 

 

 

 

 

 

Kjo ndarje dallohet edhe në afatet kohore që jepen lidhur me arritjen e progresit në këtë çështje. Kur iu kërkohet të përmendin një afat kohor se kur ata mendojnë që lufta ndaj krimit të organizuar do të fitohet, 35.34% përgjigjen se shteti s’do ta fitojë kurrë luftën kundër krimit të organizuar. 24.45% kanë një perspektivë optimiste duke thënë që lufta kundër krimit të organizuar do të fitohet në pesë vite, për një pjesë tjetër prej 18.39 % kjo do të ndodhë për 10 vjet ndërsa 9.4% mendojnë se do të zgjasë 15 vjet. 12.38% mendojnë se kjo luftë do të fitohet në 30 vite.

 

 

 

 

 

Vetëm 10.31% u shprehën se janë shumë të kënaqur, ndërkohë që 57% e të anketuarve janë pak, ose aspak të pakënaqur me atë çka është bërë për mposhtjen e këtij problemi.

 

 

 

 

 

 

 

Kur pyeten lidhur me barazinë e trajtimit të qytetarëve nga Policia e Shtetit, 74.98% e të anketuarve shprehen se qytetarët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë. Vetëm 22.06% mendojnë të kundërtën.

 

 

 

 

 

 

 

Përsa i përket lidhjes midis institucioneve të drejtësisë dhe ndikimit politik, ka një përqindje më të madhe të qytetarëve që mendojnë se këto institucioneve nuk janë aspak të pavarura. 53.54% e të anketuarve shprehen se gjykatat nuk janë aspak të pavarura dhe 49.51% shprehen njësoj për prokurorinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rezultatet e anketës tregojnë një tendencë të përmbysur përsa i përket pritshmërive nga instalimi i institucioneve të reja për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. 43.05% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të SPAK, ndërkohë ata që janë skeptikë përfaqësojnë vetëm 8.43%.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

41.52% e qytetarëve mendojnë se gjykatat do të jenë shumë më efektive kundër korrupsionit dhe krimit pas reformës në drejtësi ndërkohë që 6.01% mendojnë të kundërtën.

 

 

 

 

 

 

 

 

Nga ana tjetër, shumica e madhe prej 73.27% e qytetarëve janë të opinionit që mbikëqyrja parlamentare e institucioneve të sigurisë duhet fuqizuar.

Qytetarët identifikuan institucionet e drejtësisë si institucionet më të korruptuara. 71.21% u shprehën që gjykatat janë shumë të korruptuara, dhe 66.91% u shprehën njësoj për Prokurorinë.