Takimi i ministrave të kulturës në UNESCO, ministrja Margariti vë theksin në turizmin kulturor

Në datën 19 nëntor Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ihste pjesë e Forumit të Ministrave të Kulturës në UNESCO. Takim i këtyre përmasave është realizuar vetëm 21 vite më parë në vitin 1998 në Stokholm.

Ky takim mblodhi përfaqësues nga 120 vende të botës me temë qendrore “Kultura dhe politikat publike për zhvillimin e qëndrueshëm”.

Ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti, referoi mbi temën “Investimi në kulturë dhe kreativitet, për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim”, e cila u ndal në turizmin kulturor:

“Janë bërë përpjekje të veçanta për të shfrytëzuar vendet e trashëgimisë dhe monumentet si mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke promovuar këto destinacione, por edhe produktet e komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke financuar projekte të ndryshme, që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe mirëqenien e komuniteteve lokale të interesuara, gjë që çon në rritjen e punësimit në këto rajone.

Trashëgimia jomateriale kërkon një vëmendje të veçantë. Nëse deri më sot ajo është ruajtur nga individë, bartës të traditës, thjesht në mënyrë orale, në kushtet e zhvillimit të shpejtë të tekologjisë dhe mediave sociale, presioni mbi tëështë shumë i lartë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se pa kujdesin dhe mbështetjen e duhur, ajo mund të zhduket dhe ne nuk mund ta lëmë këtë që të ndodhë. Së pari, sepse është pjesë e identitetit tonë, por edhe sepse kontribuon në mirëqënien e komuniteteve lokale”.