Takimi i parë i Gent Cakajt me një ministër të Jashtëm, aleatin që Shqipëria humbi me Ramën kryeministër

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar takimin e parë me një ministër të Jashtëm. I pranishëm në Konferencën e Varshavës për situatën në Lindjen e Mesme, Cakaj është takuar me Péter Szijjártó, ministër i Jashtëm i Hungarisë.

Në njoftimin e MEPJ-së thuhet ndër të tjera: “Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet rreth ecurisë së procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri Szijjártó e uroi Ministrin Cakaj për detyrën dhe rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë në proceset me të cilat do të jetë e angazhuar Shqipëria në muajt në vijim, sidomos sa i takon procesit të integrimit evropian. Në planin bilateral, të dy bashkëbiseduesit u ndalën në nevojën e forcimit ligjor mes dy vendeve dhe atij të bashkëpunimit ekonomik.”

Hungaria është një aleat historik i shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vitet e fundit marrëdhëniet midis dy shteteve janë ftohur. Shkak janë bërë kritikat e hershme të kryeministrit Edi Rama ndaj homologut Viktor Orban, të cilat u kundërshtuan edhe nga ministri Szijjártó në vizitën e fundit që ka zhvilluar në Tiranë.

Marrëdhënia e afërt që Rama ka me biznesmenin George Soros, ndërkohë Orban i ka shpallur ‘luftë’ në Hungari, kanë ndikuar gjithashtu në raportet Tiranë-Budapest.

Pasojat janë ndjerë edhe në raportet e Kosovës me Hungarinë, pasi ky shtet i BE-së ka abstenuar për anëtarësimin e Prishtinës në INTERPOL dhe në ENTSO.

Ndërkohë, sa i përket vizitës së Cakajt në Varshavë, ai ka zhvilluar atje bisedime edhe me ministrat e Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë, si dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

-Të gjithë në Mynih të Gjermanisë, përveç Edi Ramës

-Zbardhet qëndrimi i Gent Cakajt para delegimit si ministër: Ndryshimi i kufijve prek Maqedoninë dhe Bosnjen