Takimi mes dy Koreve, më pranë se kurrë

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un ka shtruar një darkë për dy delegatët koreano-jugorë, hera e parë që zyrtarë nga Seuli janë takuar me liderin e ri që kur ai mori detyrën në 2011.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, konfirmoi takimin pak pas mbërritjes së delegatëve në veri, të hënën. Delegacioni ndodhet në Penian për bisedime që kanë si qëllim rifillimin e dialogut mes veriut dhe SHBA-së.

Marrëdhëniet mes koreve u ngrohën disi pas lojërave olimpike dimërore.

Radioja shtetërore koreano-veriore tha se delegacionet u takuan nga Ri Son Gëon, shefi koreano-verior për ribashkimin, që kryesoi bisedimet në javët para lojërave olimpike. Gjatë vizitës dy ditore, grupi koreano-jugor do të fokusohet tek krijimi i kushteve për bisedime që synojnë të ndalin programin bërthamor të vendit si edhe dialogun mes SHBA dhe Penianit.

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se SHBA do të jetë e gatshme për tu takuar me Korenë e Veriut, por përsëriti se Peniani më parë duhet të denuklearizohet.

 Sidoqoftë, Koreja e Veriut që ka thënë se do të bisedojë me SHBA, tha se është prepotencë fakti që Uashingtoni insiston në parakushte.