Flash News

KRYESORE

Taksa e infrastrukturës/ Bashkia e Tiranës mbledh 44 mln euro, i shpenzon për paga dhe për administratën

Taksa e infrastrukturës/ Bashkia e Tiranës mbledh 44 mln euro, i

Teksa kryeqyteti po kthehet në një kantier ndërtimi, Bashkia e Tiranës ka mbledhur 44 milionë euro nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ose 40% të totalit të të ardhurave të saj nga taksat e tarifat, shumë më tepër sesa parashikonte në planin e saj. Ekspertët e financave vendore pohojnë se varësia nga kjo taksë sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore. 66% e shpenzimeve shkon për paga e harxhime të tjera administrative.

Bashkia e Tiranës ka siguruar nga fondet e veta dhe nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara rreth 21.6 miliardë lekë të ardhura, ose 173 milionë euro në vitin 2018, duke arritur një nivel rekord, sipas të dhënave që janë publikuar nga projekti i Co-Plan, Financatvendore.al, dhe janë përpunuar nga Monitor.

Në 2018-n, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta. Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Tiranë, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga 231 vitin e mëparshëm. Numri i lejeve është shumë më i lartë se disa vjet më parë dhe është rekordi, të paktën që nga viti 2005. Më parë, rekordi ishte në 2010-n, me 254 leje në total.

Ekspertët e financave vendore theksojnë se natyra e paqëndrueshme e të ardhurave nga kjo taksë (sezonaliteti dhe përqendrimi i presionit zhvillimor në një numër të kufizuar bashkish, apo qenia subjekt i politikave zhvillimore) dhe mbledhja e mbi 75% e të ardhurave prej saj në tre bashki, sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore.

Shpenzimet, pjesa më e madhe shkon për paga dhe harxhime administrative

Rritja e të ardhurave i ka mundësuar bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime, të cilat arritën në 20 miliardë lekë në 2018-n, me një rritje prej 29% me bazë vjetore. Shpenzimet korente përbëjnë 67% të totalit, konkretisht 13.2 miliardë lekë dhe vetëm 6.7 miliardë lekë shkuan për shpenzime kapitale (nga të cilat 2 miliardë lekë për infrastrukturë, gati 3.2 miliardë lekë për shërbime publike dhe 1.2 miliardë lekë për arsimin).

Në raport me një vit më parë, ndonëse ka pasur 30% më shumë të ardhura në dispozicion, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 7%, ndërsa ato administrative me gati 30%. Kjo ka bërë që pesha e shpenzimeve kapitale të zbresë në 34%, nga 38% vitin e mëparshëm.

Në krahasim me vitin 2015, shpenzimet e personelit janë dyfishuar në 4.8 miliardë lekë, duke përbërë 24% të totalit.

Në vlerë, shpenzimet e personelit ishin sa 71% e atyre kapitale në 2018-n.

*Marrë me shkurtime nga ‘Monitor’

Të fundit