Flash News

KRYESORE

Taulant Balla kallëzon Bashën, Nuhun dhe Çollakun, paralajmëron edhe Palokën

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dorëzuar sot kërkesën për ndjekje penale ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, nënkomisarit Emiljano Nuhu dhe gazetarit Basir Çollaku. Balla i akuzon ata për inskenim në dëshmin e nënkomisarit Nuhu, i cili deklaroi se deputeti i PS, së bashku me kolegun Rrahman Rraja, e kanë kërcënuar për të lënë të lirë Rexhep Rrajën pas kallëzimit që kishte bërë ish-e dashura e tij.

“I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, Policisë së Shtetit të marrin të gjitha përgjegjësitë që ju takojnë në zbardhjen e këtij inskenimi të turpshëm”, thotë Balla.

Deputeti i PS paralajmëron edhe nënkryetarin e PD, Edi Paloka, për një kallëzim të ngjashëm.

Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja është denoncuar nga ish-e dashura për dhunë të vazhdueshme, ndërkohë që policia e Fushë-Krujës dhe Prokuroria janë përpjekur të mbyllin ngjarjen.

Emiljano Nuhu denoncoi dje se më 21 korrik të këtij viti, Taulant Balla, Rrahman Rraja dhe vëllai i tij, si dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, kanë hyrë në komisariatin e Fushë-Krujës dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që të linte të lirë djalin e Rrajës.

Kallashnikov dhe hashash; publikohen fotot e Rexhep Rrajës, djali që ka trazuar politikën

Reagimi i plotë i Taulant Ballës:

Sapo depozitova në Prokurori kërkesën për fillimin e ndjekjes penale për të gjithë personat e përfshirë në inskenimin e turpshëm të orkestruar dhe të bërë publik nga Lulzim Basha.

E garantoj opinionin publik se kjo çështje do të jetë beteja që duhet fituar në emër të shqiptarëve që duan një politikë ku akuzat të ngrihen mbi prova dhe se provave për cilindo është vetëm drejtësia që duhet tu shkojë deri në fund.

I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, Policisë së Shtetit të marrin të gjitha përgjegjësitë që ju takojnë në zbardhjen e këtij inskenimi të turpshëm.

E garantoj Lulzim Bashën, gjobaxhiun e rëndomtë të sipërmarrësve, mos guxo të më vendosësh edhe mua gjobë me kusht mospërballjen. Je shumë i dobët për mua Lulzim. Mirë kryetar partie nuk di ta besh, duke e degraduar PD në një organizatë banale babalesh, po mos guxo të bësh më as regjizorin apo skenaristin, sepse qenke për turp.

Nesër këtij kallzimi do t'i bashkëngjitet si i kallzuar edhe shpifësi profesionist, Edi Paloka. I cili nuk e ka problem të vijë në gjykatë dhe të thotë se ai thotë çfare i thotë partia, prandaj është i pafajshëm, po sidoqoftë pa këtë shpifës qesharak në bankën e të akuzuarve, kjo komedi e zymtë nuk e merr kuptimin e saj të plotë.

Të fundit