Flash News

KRYESORE

Të ardhurat nga emigrantët arrijnë në nivelin më të lartë në 6 vjet

Të ardhurat nga emigrantët arrijnë në nivelin më

Paratë që emigrantët sjellin në shtëpi kanë shënuar një rritje të ndjeshme përgjatë viteve të fundit. Sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë, remitancat (prurjet e emigrantëve) arritën në 670 milionë euro në vitin 2018, duke u rritur me 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Ky është niveli më i lartë që nga viti 2012, teksa një vit më pas në 2013, prurjet e emigrantëve arritën në nivelin më të ulët që pas viteve ’90, duke zbritur në 545 milionë euro. Rënia e tyre ishte e pritshme, pas maturimit të ciklit të emigracionit, ku individët që kanë ikur (fluksi më i madh ishte mes viteve 1990 dhe 2000), pas 10-15 vitesh krijojnë familjet e tyre dhe fillojnë e  shkëpusin lidhjet me vendin mëmë.

Por, pas vitit 2013, prurjet e emigrantëve filluan të rriten sërish, për të arritur në 2018-n, ku rritja në vlerë absolute ishte rreth 34 milionë euro, më e larta e gjashtë viteve të fundit.

Elton Çollaku, drejtor i Unionit Financiar Tiranë, kompania përfaqësuese e Ëestern Union në Shqipëri, që kryen transferta parash, pohon se arsyeja kryesore e rritjes së remitancave lidhet me rigjallërimin e ciklit të emigracionit. “Personat që ikin sistemohen vetë dhe më pas ndihmojnë familjet”, pohon ai.

Çollaku shton se, referuar edhe përvojave të tregut, edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend./Monitor

Të fundit