Flash News

KRYESORE

Të besuarit e Ramës në çdo dikaster. Zëvendësit që qëndrojnë edhe mbi ministrat

Të besuarit e Ramës në çdo dikaster. Zëvendësit

Emrat që Rama përzgjodhi për të drejtuar ministritë në mandatin e parë u cilësuan gjerësisht si njerëzit të cilët jo vetëm që ishin më pranë tij por edhe më të besuarit e kryetarit. Edhe në mandatin e dytë, Rama konfirmoi një pjesë të tyre ndërkohë që emrat e rinj që ju shtuan kabinetit janë pa ndonjë peshë të madhe.

Por si të mos mjaftonte kjo, thuajse çdo ministri, Rama ka emëruar persona të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të duke zbehur në jo pak raste edhe rolin e ministrave.

Në ministrinë e Transporteve dhe Energjetikës, është Artan Shkreli. Ai mban postin e zëvendësministrit, janë katër poste të tilla tek kjo ministri, por ndikimi i Shkrelit, për shkak të lidhjes së fortë dhe të vjetër me Ramën është më i madh.

Dhimo Kote, mban postin e ministrit të Bujqësisë, por miku i vjetër i Ramës, del edhe mbi Peleshin. Madje, në disa aktivitete kryeministri është shfaqur krah Kotes duke evituar ministrin e Bujqësisë. ‘Deri tani Niko njihte vetëm qendrat e qyteteve’, është shprehur Rama për ministrin e Bujqësisë dhe mesa duket këtë ‘mangësi’ të tij kryeministri po e plotëson me mikun e tij fermer.

Në ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zëvendësministrja Mira Rakacolli është ajo e cila dublon ministren Manasterliu. Mjekja e vjetër është një nga të besuarat e Ramës. Ajo u emërua në këtë post nga Rama në kohën kur në krye të Shëndetësisë u vendos ministri teknik dhe gjatë gjithë kësaj kohe ishte Rakacolli lidhja e kryeministrit me Shëndetësinë.

Plarent Ndreca u bë i njohur gjatë debateve për ligjin e arsimit të lartë. Mbrojtja që ai i bëri ligjit në publik duket se krijoi besimin tek Rama dhe tashmë në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit është ai ‘dora e fortë’ e kryeministrit në këtë dikaster.  

Të fundit