Flash News

KRYESORE

Të çmendur për një ‘selfie’ me Federica Mogherinin

Bashkimi Europian shihet si aleati kryesor në Iran për t’u përballur me kundërshtimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me marrëveshjen atomike. Për këtë arsye, zyrtarët e Brukseli shihen me sy të mirë në Republikën Islamike, por askujt nuk ia priste mendja se shihin kaq mirë sa ndodhi me Përfaqësuesen për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Mogherini ka qenë e pranishme në Parlamentin e Iranit, për betimin e presidentit Hassan Rohani dhe deputetët kanë nxituar të nxjerrin telefonat të bëjnë ‘selfie’. Madje disa prej tyre edhe i janë lutur zyrtares së lartë të BE-së për të dalë në foto.

Por këto veprime të deputetëve iranianë nuk janë pritur mirë nga intelektualët dhe mediat vendase.

Hesamodin Ashna, këshilltar për kulturë i presidentit relativisht të moderuar, Hassan Rohani, ka shkruar në rrjetin Tëitter se “ky nuk është problem politik, por është më tepër kulturor” dhe ka shtuar se “secili prej këtyre ligjvënësve të nderuar në atë selfie do të duhej të intervistohej seriozisht”.

Sadeq Kharazzi, ish-diplomat iranian dhe këshilltar i presidentit të dikurshëm reformist, Mohammad Khatami, ka shkruar në rrjetin Instagram se Parlamenti duhet të mbajë “kurse trajnimi për kodin e sjelljes dhe për vlerat morale universale” për ligjvënësit

E përditshmja e moderuar, Ghanon, e ka bërë një krahasim me pikturën e njohur, The Scream (Klithja), të autorit, Edvard Munch. Kjo gazetë në faqen e parë e ka botuar një karikaturë të titulluar, The Selfie of Scream (Selfie e Klithjes), ku shihen Mogherini dhe ligjvënësit me telefonat e tyre.

Të fundit