Flash News

KRYESORE

“Të deklarojnë pasurinë”, kush janë tre durrsakët që ranë nën shënjestrën e OFL

“Të deklarojnë pasurinë”, kush janë tre

OFL u ka dërguar kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre personave nga Durrësi, ku dy prej tyre rezultojnë të dënuar jashtë Shqipërisë.

"Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-              Dashamir Gjoka, me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

-              Emiljano Hysenaj, me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.

-              Edlir Hysenaj, banues në Durrës, me lidhje familjare me Emiljano H., pasi dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.

Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti", sqaron agjentja e OFL.

Ndërkohë, një ditë më parë, OFL u dërgoi formularët edhe Lulzim Berishës dhe Ardian Çapjas.

Të fundit