Flash News

KRYESORE

Të gjezdisësh Dajtin, një ishull mbi qiellin me smog të Tiranës

*Nga Xhuliana Jakimi

Çfarë mund të bësh vetëm në një ditë fundjave në Tiranë, sidomos kur nuk ke as mjet që të lëvizësh?

S’doja kafe baresh qyteti. Muhabete të përhershme. S’doja të takoja kënd. Më kishte kapur 'thirrja e natyrës'. E vendosa aty për aty. Do të iki në Dajt. Këtë herë pa një guidë udhëzuese.

Mora Anxhelën në telefon dhe lamë një orë takimi në mëngjes. Siç bëj gjithmonë në "udhëtimet e mira", me të cilat nënkuptoj ca orë “hiking”, vesha atletet, vura mbi shpinë çantën me të nevojshmet, kapelen në kokë, dhe u nisa për te stacioni i autobusit.

Nga qendra e Tiranës deri te zona e Freskut, rruga nuk zgjat më shumë se 30 minuta.  Ndonëse u bënë kaq vite që jetoj në Tiranë s’kisha udhëtuar më parë drejt Dajtit me teleferik. Ky qe, me sa duket, rasti i duhur.

Zbritëm nga autobusi i i linjës dhe  u nisëm për te biletaria. Një furgon që lexonte “Dajti Ekspres” na u ndal afër.

“Goca, po shkoni për në Dajt?”- pyeti shoferi.

“Po. Për te Teleferiku”.

“Ejani”.

Në furgon ishin dhe disa turistë të huaj, edhe ata për të njëjtin qëllim. Për 3 minuta arritëm në pikënisjen e teleferikut. Bëmë zakonet e rastit: biletat vajtje-ardhje dhe u futëm në kabinë.

Zhurma e fërkimit të mjetit me kabllot, herë pas here dëgjohej shumë, sidomos kur ngjitja bëhej më e pjerrët.

Nga brenda kabinës, në një lartësi prej dhjetra metrash, pemët poshtë ngjanin shumë të vogla. Po i largoheshim Tiranës, pallateve, smogut dhe i afroheshim lartësive të kthjellëta.

Rreth e rrotull shtohej sundimi i së gjelbërs, ndërprerë nga bunkerë që në atë peizazh ngjanin krej të pakuptimtë. Po aq sa ndërtesat e vjetra, të shembura (me siguri reparte ushtarake të së shkuarës), apo dhe kabinat që na vinin përballë e të tjera që ishin pas nesh. Ishte një vend që bënte thirrje për vetmi dhe qetësi.

Qetësi që ta fal vetëm natyra.

Dajti nuk ndodhet më shumë se 25 km larg Tiranës, por i shëmbëllen futjes në një botë tjetër. Rrëmuja dhe rrëmeti kryeqytetas humbin pamjen dhe kuptimin.

Pamja e lartësive, jo. Ajo është aty rrënqethëse, por jo për mua. Ndryshe nga shumë, lartësitë më ndjellin: sheh më shumë, je më lart...

Kjo nuk do të thotë se unë dhe Anxhela nuk e menduam fatalitetin që u shkon thuajse të gjithëve në mendje: Po sikur të ndodhë ndonjë incident dhe të biem? Nuk ramë, por u ngjitëm.

Edhe me njëfarë padurimi për një kafe, të cilën nuk e pimë në Tiranë për t'i dhënë vetes mundësinë e shijimit në natyrë të një zakoni kaq të përditshëm e kaq qytetas. 

Duhet thënë se edhe këtu të ndjek një zakon qytetas: lokalet janë të shumta, të mëdha dhe vetëofruese. Me një shije të re që e ka kafeja e pirë mes gjelbërimit dhe larg zhurmës, çohemi dhe nisemi drejt malit. Tabelat udhëzuese nuk mungojnë.

Nuk mungojnë as aktivitetet: kalërimi, lojrat e ndryshme, e të tjera. Më tutje në ca çadra të ngritura, një grup turistësh bënin pushimet e tyre.

Ne do bënim tonën: do t'i ngjiteshim malit. Ecëm mes pyllit, pemëve të larta, shumë prej të cilave ishin të bëra njësh me shkurret dhe bimësinë e ulët. Cicërimat e zogjve ishin melodia shoqëruese e udhëtimit.

Pasi ecëm për rreth një orë, ndaluam, hapëm mbulesën që kishim marrë me vete dhe u ulëm të konsumonim drekën. Qemë kujdesur të marrim gjërat e nevojshme me vet. Sanduiçë, pije freskuese, ujë, ëmbëlsira e fruta.

Dhe pas ushqimit, siç thotë shpesh xhaxhai im, krejt papritur të vjen gjumi. Çka e përforconte përgjumjen ishin qetësia, natyra dhe cicërimat e zogjve. Të dyja u shtrimë dhe po shihnim pemët që qëndronin stoike mbi ne. Një rreze dielli kishte gjetur hapësirën e duhur për të lodruar mbi fytyrat tona.

Ndenjëm për disa minuta shtrirë, pa folur, derisa filluam të ndjenim ca insekte të vogla mbi trupat tonë. E kuptuam që duhej të lëviznim, por më kapi një “çmenduri”. Në fëmijërinë time ngjitesha në pemët e bahçes, sidomos në qershitë e manat. Doja të provoja veten sa e zonja isha, prandaj ngjita pemën që kisha aty pranë.

Po, mund ta bëja sërish, si atëherë kur isha e vogël… Thirrjet e Anxhelës më bënë të kuptoja se po ngjitesha më lart se ç'duhet.  Frika se mos ndonjë degë e thatë më “tradhëtonte" dhe bija poshtë më stepi. Zbrita me kujdes. Nisëm të ngjiteshim shigjeve të ngushta.

Ca pemë të shënuara me të kuqe, shërbenin si udhëzues i rrugës. Dy shkopinj të thatë na shërbyen për mbështetje.

Ecëm rreth një orë. Rruga nuk ndihej pasi pemët na bënin fresk, dhe një erë  lehtë frynte herë pas here mes tyre.

Male pikaseshin larg, por pemët shtatlarta nuk na lejonin pamje të plotë të tyre.

Pasi ecëm edhe për disa minuta, më në fund dolëm në një qoshe të pyllit. Përballë na u dhanë malet që më parë nuk i dallonim sa duhet. Me to na ndante një humnerë.

Më tutje, shumë larg nesh, shquhej një rrugë dhe spikama e një tuneli.

Duhet të jetë “Rruga e Arbrit”, ramë dakord me Anxhelën.

Të gjitha i pamë, por asnjë kafshë. Të butë as të egër. Ç'na kapën sytë edhe e fotografuam. Vendosëm të ktheheshim kur kuptuam se kishin kaluar orë. Pa asnjë lodhje u ulëm poshtë. Edhe një kafe tjetër.

Kthimi nuk e ka gëzimin e vajtjes. Malet po zhdukeshin pas shpine dhe ndërtesat po zmadhoheshin para nesh. Mbi to smogu i përhershëm. /Politiko.al/

 

 

Të fundit