Flash News

OP-ED

Të jesh opozitar në protestë është normale; të jesh me Qeverinë, Jo

Të jesh opozitar në protestë është normale; të

Lisandër Hoxha

Duke ndjekur këto ditë protestën kam vënë re një fonomen unik në botë: depolitizimin e një proteste me kërkesa politike të studentëve të universiteteve publike. Një protestë, e cila trembi shumë dhe shkundi nga themelet qeverinë, që në vetëm pak orë u tërhoq nga ajo që ndezi shkëndijën e madhe të studentëve, tarifa e miratuar fshehtas në VKM-në 288, konkretisht pika 4.

Kjo protestë nisi si një zjarr rinor përmes rrjeteve sociale dhe u konkretizua me manifestimin madhështor para Ministrisë së Arsimit. Protesta u duk si pa krye dhe aty shpejt filluan të dilnin oratorë nga studentët dhe disa pedagogë. U vu re një reagim i madh në rrjetet sociale dhe në rrugë nga të gjithë shqiptarët dhe menjëherë plasën parullat çoroditëse të tipi: jo politik, etj. Në gjithë zhurmën dhe kakofoninë e megafonëve, turma e pasqaruar nga kuptimi i parullave filloi të orientohet nga disa oratorë që rrinin në grup dhe dukej sikur kishin lindur në protesta. Ata nxirrnin parullat dhe në kor turma i përkrahte edhe pa ditur arsyen apo kuptimin e plotë të tyre. Kështu ndodhi edhe kur protestuesit u orientuan të thërrisnin: 'Lindita Nikolla dil në bulevard' dhe kur doli ajo, studentët e kuptuan se kishin gabuar dhe e qëlluan atë me vezë dhe bidona uji nga revoltimi.

Po kush i bënte parullat?

Nga pamjet në media u zbulua se mes protestuesve ishin një grup neokomunistësh të Organizatës Politike të drejtuar nga Arlind Qorri dhe disa koordinatorë të FRESSH në Fakultetin e Drejtësisë, të cilët hipnin mbi bordurë, kangjella dhe pa pushim hidhnin parulla. Kjo ide se ata po e mbanin peng protestën u përforcua kur një grup fare i vogël, por shumë i koordinuar, u pa të zhvendosej me shpejtësi në drejtim të banorëve të Astirit, që kishin ardhur në solidaritet të plotë me kauzën studentore. Madje për herë të parë u pa dhe kordoni i Policisë së Shtetit në këtë protestë, i cili u vendos në sinkron me 'grupin e zjarrit' qe erdhën për të përzënë çdo faktor tjetër që bashkohej me ta. A thua se studentët janë nga një dimension tjetër dhe nuk e njohin e nuk duan të përlyhen nga ky realitet. Kjo ngjarje nuk u kuptua nga turma sepse kakofonia e zhurmave pengonte protestuesit të informoheshin mbi atë që po ndodhte, por ata dalluan parullën e pakuptimtë 'Jo politikë', që ky grup filloi të thërriste. Kjo bëri që banorët, të habitur nga ky reagim, të iknin të përzënë nga fëmijët e tyre studentë. Kjo bëri që në media të pëcillej sikur studentët kishin vendosur të izoloheshin pa kokë e pa vizion brenda 4 apo 8 pikave që dilnin në media.

Kultura e parullave dhe kapjes së foltoreve solli një produkt që askush nga studentët, e pa mësuar me hilet e protestave të mos e priste. Kjo solli intimidimin e çdo të riu që dëshironte përkrahjen e shtresave të tjera të shoqërisë si prindër, gjimnazistë, grupe që kanë halle të ngjashme me ta apo dhe të tjerë si ata janë zënë në befasi nga Rama me plane korruptive për prishje shtëpish etj. Kjo bëri që çdo zë opozitar me Ramën në protestë, edhe pse ishin mazhorancë në numër, t’i vinte turp për bindjen e tij sepse sapo guxonte të artikulonte një fjalë, grupi i misionarëve histerikë i sulej me parullat e bëra normë sociale atje: 'jo politikë, jo politikë'. Kjo bëri që Rama të ishte njeriu i shpëtuar nga çdo akuzë dhe i gjithë mllefi studentor të shkarkohej me zhurmë para Ministrisë.

Ky grup deri dje ishte truri i dështimit të protestës, të cilët arritën deri aty sa të bënin target opozitën në rrjetet e tyre sociale, edhe pse protesta ishte kundër qeverisë. Largimi i tyre ishte fitorja më e madhe për kauzën sepse sot ju jeni të lirë dhe si të tillë ftuat këdo që të bashkohet me ju. Ajo që akoma nuk keni larguar është qëllimi i tyre i mbrapshtë për t’ju mbajtur të izoluar, apolitikë dhe larg Ramës.

Parullat jo politike janë vrasëse për ju dhe qëllimet tuaja. Kjo sepse ju jeni bijtë e baballarëve dhe nënave të këtij kombi që Edi Rama po i vjedh çdo ditë. Ju jeni të rinjtë e një vendi që ka në azil ekonomik mbi 600 mijë shqiptarë, ndër ta shokë dhe të njohurit tuaj. Ju po jetoni në një vend ku 79% prej jush duan të emigrojnë larg Ramës dhe pamundësive që ka krijuar ai. Ju po jetoni këtu bashkë me hallet e këtij vendi. Nëse nuk besoni ato që shkruaj unë, shkoni dhe hapni frigoriferët tuaj, ato të të afërmve tuaj dhe shikoni prindërit në sy kur duhet të japin para për arsimin tuaj. Ju pra jeni në protestë edhe për arsye ekonomike të familjeve tuaja dhe jo vetëm për ca pika të një sistemi arsimor të degraduar.

Kauza juaj është një shkëndijë shprese për çdo shqiptar që është në opozitë me Edi Ramën dhe nuk janë të pakët ata që duan të bashkohen me ju. Por, ju më parë duhet të largoni parullat dashakeqe dhe izoluese që u futën në mesin tuaj nga djallëzia e pushtetit. Ju duhet të jeni të ndjeshëm dhe vigjilentë ndaj atyre që nuk po ju lejojnë të arrini atë që të gjithë po e presin nga ju.

Sot ju ndodheni në nje dilemë dhe klimë mosbesimi të madh për shkak të asaj kulture shkatërruese që u fut mes jush ditët e para. Sot ju duhet të ndiheni krenarë për pjesëmarrjen e madhe dhe të mos lejoni askënd që t’ju mësojë qëllimet tuaja. Ju duhet të pyesni familjen tuaj sepse bashkë me ta ndani jetën dhe fatin.

Mos merrni pjesë në protesta për të pritur zgjidhje nga ai që ka mashtruar të madh e të vogël në këtë vend. Mos shkoni vetëm në protesta, por merrini përdore prindërit tuaj atje. Protesta juaj është shans i madh i vendit tonë për të larguar Rilindjen arrogante nga pushteti.

Merreni në dorë fatin tuaj dhe mos prisni që dikush atje t’ju drejtojë me parulla apo thirrje. Opozita është atje sepse në mesin tuaj janë djemtë dhe vajzat e njerëzve të thjeshtë. Bosët e pushtetit i kanë dërguar jashtë fëmijët e tyre, përfshirë këtu edhe vetë Ministren Nikolla.

Të jesh opozitar në këtë protestë është normale, ndërsa e kundërta është anormale dhe e dyshimtë.

Kur dikush pranë jush të çirret 'jo politikë!' ju vetëm kujtoni hallet tuaja dhe pastaj jam i sigurtë se do jeni më të qartë rreth asaj që po ndodh.

Bashkohuni të dashur studentë me të gjithë shoqërinë dhe jepini një shans këtij vendi!

Sot ju jeni shumicë sepse shumicë keni qënë që prej fillimit, por ju sot po e kuptoni se sa shumë jeni aty që ndani të njëjtat halle dhe të njëjtën përditshmëri të zymtë.

Jepini shqelmin rinor arrogancës dhe mbyllini gojën çdo misonari politik që kërkon dështimin e kauzës tuaj. Drejtojeni vetë protestën të lirë drejt Ramës dhe na ftoni edhe ne të bashkohemi me ju. Sot është momenti që t’i japim goditjen finale shtetit të degraduar dhe të bëjmë historinë europiane të vendit tonë. 'E duam Shqipërinë si gjithë Europa' është kauza e prindërve tanë, të cilën ne sot duhet ta bëjmë realitet.

Çohu student dhe bjeri gjoksit se ti vendos këtu!

Të fundit