Flash News

OP-ED

Të korrat e doktrinës së Ramës “zero probleme me fqinjët”

Të korrat e doktrinës së Ramës “zero probleme me
Altin Gjeta* Sapo hyri në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë në 2013-ën, Edi Rama, shpalosi si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij të jashtme doktrinën “zero probleme me fqinjët”. Shqipëria ka aspiruar dhe punuar në mënyrë konstruktive për ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe miqësore me fqinjët në Veri, Jug dhe përtej Adriatikut. Mirëpo, për shkak të vragëve historike të ngjizjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, promovimi i një doktrine të tillë si politikë zyrtare shtetërore – ofrimi i një lloj Pax Balcanica në tavolinë, në kushtet e ndarjes së interesave legjitime në një rajon ku, paradoksalisht, shqiptarët kufizohen me njëri-tjetrin, duket se ka hapur brazda fertile për avancimin e politikave rajonale që shkojnë kundër interesave kombëtare të Shqipërisë.  Siparin e ndjekjes së kësaj politike Rama e hapi në vitin 2014 kur vizitoi Serbinë, duke u bërë pas Enver Hoxhës, kryeministri i dytë në historinë e shtetit shqiptar që viziton Beogradin. Sigurisht, hapja ndaj Serbisë, e cila erdhi edhe në kuadër të procesit të sapofilluar me shumë bujë të Berlinit, ishte një akt i pritshëm dhe që mund të përdorej për të ndihmuar dialogun me Kosovën dhe zbutur atmosferën hipernacionaliste në tërësi në rajon.  Fatkeqësisht, kryeministri Rama, në vend që ta kondiciononte raportin Tiranë-Beograd me Kosovën, i dha oksigjen Aleksandër Vuçiçit, një autokrati ballkanik, i cili e ka shfrytëzuar me mjeshtëri afrimin me Tiranën, duke e shitur kësisoj veten si një lider europian në sytë e Brukselit. Për më tepër, Serbia ka tentuar në vijimësi anashkalimin e Prishtinës dhe gjetjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës me Tiranën, pasi në këtë mënyrë zhvelftëson shtetësinë e Kosovës. Me një lloj protagonizmi të panevojshëm, arrogant dhe të papjekur, Rama filloi të fliste në emër të Kosovës, t’u jepte leksione dhe fyente udhëheqjen e Prishtinës sa herë nuk binin n’dakord me idetë e tij, duke u bërë në këtë mënyrë patericë e Vuçiçit.  Në një kohë kur Serbia bllokoi antarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe filloi një fushatë të egër kundër pavarësisë së Kosovës, Rama u angazhua në nisma rajonale me Serbinë si mini-Shengeni Ballkanik pa unifikuar qëndrimet me Kosovën, duke e vendosur këtë të fundit në një pozitë të vështirë. Për të mos folur mandej për zërat se ai ishte një nga mbështetësit e idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një plan që i ka ardhur vërdallë si fantazëm Kosovës për një periudhë të gjatë kohe, derisa duket se u fashit për momentin nga marrëveshja për normalizim ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.  Me të njëjtën dritëshkurtësi, Rama ka zgjatur duart në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi sa herë janë zhvilluar zgjedhje kombëtare. Ai u bë protagonist i panevojshëm i bashkimit të faktorit shqiptar në Shkup duke postuar foto me liderët e partive politike shqiptare në sallën e hartave në Kryeministri, në një kohë kur thikat vringëllinin mes LSDM-se së Zaevit dhe VMRO-së. Me një akt të paprecedent, të denjë për lëshimin e një note diplomatike, Rama ndërhyri në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, duke i bërë thirrje komunitetit shqiptar atje për të votuar autokratin jetëgjatë Milo Gjukanoviç. Ironikisht, në krye të 7 viteve të qeverisjes, doktrina “zero probleme me fqinjët” është transformuar në mbatjen në këmbë të një aleance autokratësh të cilët tashmë kanë frikë së rënia e njërit do të shkaktojë rënien të gjithëve në një efekt domino.  Ndërkohë, kur po i vjen fundi mandatit të dytë në krye të ekzekutivit shqiptar, politika e tij e zeros nuk ka arritur të adresojë asnjë problem thelbësor me Greqinë. Tratativat për arritjen e një marrëveshje paketë, ku përfshihesh ligji i luftës, çështja çame dhe e minoriteteve, si dhe delimitimi i ujrave në detin Jon, dështoi, duke e lënë përsëri Shqipërinë të pambrojtur përballë makinacioneve të Athinës. Ridalja në skenë e çështjes së detit ka ngritur shqetësime serioze në aftësinë dhe vullnetin e kësaj qeverie për të mbrojtur në mënyrë të drejtë interesat kombëtare. Qeveria shqiptare nuk ka sqaruar opinionin publik në mënyrë transparente nëse zgjerimi me 12 milje i Greqisë në detin Jon e prek apo jo Shqipërinë. Përkundrazi, në vend që qeveria shqiptare të vendoste në lojë mekanizma diplomatikë me Athinën, BE-në dhe me NATO-n për gjetjen e një zgjidhje të drejtë, ka pranuar pa kushte të drejtën e zgjerimit të Greqisë në ujrat detit Jon, ku mendohet se janë zbuluar rezerva të rëndësishme në naftë dhe gaz, duke rrezikuar kësisoj seriozisht sigurinë kombëtare të Shqipërisë. E gjithë kjo panoramë e cila ngërthen në vetvete problematika serioze për shqiptarët në rajon tregon se ‘sindroma zero’ në politikën e jashtme rajonale ka prodhuar frute të hidhur për Shqipërinë. Vendi ka humbur relevancën e vet si qendra e shqiptarizmës, faktori shqiptar është përçarë dhe rrudhur, ndërsa shtetësia e Kosovës është rinegociuar, edhe me bekimin e Shqipërisë. Kështu, edhe një profan në politikë të jashtme mundet me konstatu lirisht se konstruktimi i diplomacisë shtetërore si një sipërmarrje e re, një shpikje nga hiçi, pa histori dhe vazhdimësi ka qenë kundërproduktive për interesat shqiptare në rajon.  Me largimin e Edi Ramës nga zyra e Kryeministirit, lypet urgjentisht që shteti shqiptar të ndërtojë një politikë të jashtme shtetërore kohezive, të pjekur dhe strategjike për të përballur pasojat e “doktrinës zero probleme me fqinjët” si dhe sfidat e rëndësishme që e presin në dekadën që sapo kemi shkelur.

*Chevening Fellow. Postgrad in International Relations and Democratic Politics, University of Westminster, London

Të fundit