Të kujt janë këto plehra nëpër Shqipëri?!

Alfred Lela

Kriza politike, kriza humanitare, kriza shoqërore… e me radhë. Nëse këta togfjalësha shqiptohen e shpallen me të madhe, nga Facebook-u në Twitter, nga studio në studio, nga komenti në koment, kriza ekologjike përmendet rrallë e për mall, ose edhe nëse ceket nuk bëhet kurrë kryefjalë e ‘debatit të madh’ të ditës.

Arsyet janë disa, por te më kryesoret mund të rendisësh atë se agjenda politike mbyt çdo përpjekje tjetër dhe, së dyti, ndërgjegjia ekologjike nuk ekziston në Shqipëri. Ekzistojnë disa grupime apo individë, por më shumë se ‘gjendje të brendshme’, me gjasë, ata përfaqësojnë fusha manjetike fondesh.

Për ta kuptuar Shqipërinë nuk mjafton Tirana; pavarësisht se sa e pastër apo e ndotur është ajo. Kryeqyteti bart disa kontradiksione sa i takon ekologjisë, më bërtitësi ndër të cilët janë kazanët disa ngjyrësh të plehrave nëpër cepa lagjesh të cilët të ftojnë për të ‘mbetje të diferencuara’. Inovacion që përgënjeshtrohet nga makinat e firmës së përpunimit të mbetjeve të cilat nuk bëjnë asnjë ndarje kur i marrin.

‘Trajtimi i diferencuar i mbetjeve’ është, si shumë gjëra të tjera në Tiranë, një operacion imazhi. Ndarjen e tyre e bëjnë të vobektit dhe të pafatët e pakicave me ngjyrë, nëpër kosha qyteti apo në landfillin e Sharrës.

Edhe pse kryebashkiaku Veliaj pati premtuar disa herë se do të fuqizonte një moratorium për qeset plastike, kjo nuk ka ndodhur dhe as duket se do të ndodhë. Sa i takon asaj që shqiptarët vazhdojnë t’i hedhin plehrat nga dritarja, apo se pasi kanë ngrënë një sufllaqe apo kruasan e flakin mbështjellësen nga dritarja e makinës mu e në rrugë, kjo nuk habit më askënd (siç nuk bën me turp autorët).

Tirana dhe qytetet janë, megjithatë, të menaxhueshme. Periferitë, fshatrat dhe zonat e thella të vendit, të cilat duke marrë parasysh numrin e vogël të popullsisë dhe lehtësitë në menaxhim të numrave dhe konsumit të vogël, nuk duhej të ishin problemi, duket se përbëjnë zemrën e krizës ekologjike në të cilën është Shqipëria. Nëpër fshatrat e Shqipërisë, nga Dardha, medemek e sofistikuar, dhe deri te fshatrat e veriut që prezumohen si të ‘pacivilizuara’, sytë të ndeshin të njëjtën pamje. Qese, shishe plastike e çfarëdolloj mbeturine tjetër, grumbulluar në pirgje pas gjerdheve të shtëpive ose në breg të përrenjve. I ndesh vetë çdo fundjavë këto pamje gjatë ecjeve nëpër zonat malore të vendit në jug, veri, lindje a perëndim. Edhe ju që preferoni një turizëm më urban, që udhëtoni nga një qytet në tjetrin për fundjavë, e shihni në një formë tjetër atë që vërej unë nëpër fshatra dhe male. Ajo që fshatarët hedhin nëpër cepa apo përrenj, dhe unë e shoh në gjendjen fillestare, ju e hasni kur udhëtoni nga Tirana për në Elbasan, Korçë, Vlorë, Shkodër, Tropojë apo kudo. Në anët e lumenjve i shihni se si valëviten, të zgjebosura e të shkalafitura nga ujërat dhe erërat, me mijra qese, këta flamuj të turpit tonë kombëtar. Nuk ka çaste më të zorshme brenda lëkurës së të qenit shqiptar se sa kur bën rafting me të huaj teposhtë Vjosës, brigjeve të së cilës shtrihen fshatrat e Përmetit. Banorët e përdorin lumin si kosh të përjetshëm mbeturinash duke e kthyer nga ‘i fundit lumë i egër i Europës’ në një ekspozitë të egërsisë së shqiptarit ndaj natyrës.

Nëse kjo të duket si sulm ndaj ‘toskëve civilë’ të njëjtën pamje, ndoshta edhe më tragjike, ashtu siç veriu i ka malet edhe ujrat, do ta ndeshni në Shqipërinë e epërme, në basenin e liqenit të Komanit e deri ku Drini mbyllet arbitrarisht nga një digë tjetër hidrocentrali, ai i Fierzës. Pamjet, si të fjordeve norvegjeze, shëmtohen nga ‘ndërprerje shqiptare’, mbeturina të të gjitha llojeve që derdhen në Drin nga përrenjtë malorë që vrapojnë nga të dy shpatet.

Plaga që kjo pandjeshmëri ekologjike i shkakton trupit dhe shpirtit të Shqipërisë, meriton mijra dënime. Ajo do të vazhdojë e hapur sa kohë asnjë dënim nuk jepet dhe sa kohë shqiptari i përditshëm do të hajë dhe të jashtëqesë po aty, në një harmoni neandertalase me veten.

Mijra ton mbeturina që i janë lidhur, lianë shëmtie, trupit të brishtë të Shqipërisë përfundojnë në det dhe prej aty, pjesë e ciklit brilant dhe të pamëshirshëm të natyrës, kthehen sërish në jetën tonë, në plazhe, në ushqime, në ujë dhe në ajër.

Sigurisht, edhe në shëmtinë që na shtrihet para syve, edhe në imazhin që i krijon ajo Shqipërisë në sytë e të huajve.

A jemi pra në një krizë ekologjike? Ndoshta do të thonit se kriza politike dhe shoqërore janë më të rëndësishme, dhe madje ato përcaktojnë të parën. Në fakt, është e kundërta: një popull që jeton në zhul kolektiv, që nuk e mban të pastër vendin ‘ku i ka rënë koka’ nuk ka se si të prodhojë instrumente politikë dhe shoqërorë, përfshirë këtu udhëheqësit, çlirues dhe civilizues.