Të padalë ende nga ‘epoka Nano-Berisha’, si ndihen Rama dhe Basha?

Alfred Lela
Alfred Lela

Alfred Lela

Në 15 vjet, që pas marrjes së çelësave të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama, për herë të parë i uron datlindjen paraardhësit të vet, Fatos Nano. Në ndërkohë, mes të dyve ka rrjedhur shumë ‘gjak i keq’, i cili është mpiksur në vetëofrimin për President të Nanos në vitin 2008, dhe në refuzimin e Ramës për ta propozuar në emër të PS, apo për ta mbështetur nëse ofrohej si kandidaturë nga grupime të tjera politike.

Me çfarë lidhet atëherë kjo kujtesë dhe melankoli e papritur?

Gjasat janë tri, dhe fillojnë me një provokim apo diversion të kryeministrit, krijimit të një ngjarjeje pa thelb, por që ofron mjaftueshëm spin mediatik me idenë e ngulitur se spektakli më shumë se përmbajtja e ushqen trurin e shpëlarë të popullit (që duhet dalluar nga publiku, një kategori shumë më e vogël). Rama e ka masterizuar këtë formë të komunikimit publik duke krijuar pseudongjarje, i ndihmuar edhe nga lehtësia me të cilën ai krijon asosacione estetiko-diabolike.

E dyta është nevoja e Ramës si shef i socialistëve për ta risocialistëzuar partinë që e mori left off centre (majtas qendrës) dhe e ktheu në një kometë pirueteske që, shpeshherë u është ofruar tezave dhe qëndrimeve të djathta apo aideologjike. Nuk është, sigurisht, ideologjia që e ndan Ramën me socialistët, se sa janë disa eksperimente të tij, si psh nderimi për figura të së djathtës tradicionale (kthimi i eshtrave të Mid’hat bej Frashërit, ta zëmë) apo mjaftizimi i PS, të njëjtit grup që bashkoi përpjekjet me opozitën, asokohe të Berishës, për të rrëzuar Nanon dhe PS nga pushteti në 2005.

Pa harruar inkursionet e Ramës kryeministër në individë pa lidhje me PS, si Gent Cakaj, Besa Shahini, Elva Margariti, Etilda Gjonaj etj., të cilët i nxori nga mosnjohja dhe i bëri të njohur si ministra.

Ramës, në logjikën e fushatës, i duhet ta kthejë kokën gjithandej, duke e kuptuar se socialistët e Ruçit dhe Braçes janë ata të pushtetit, por jo të idesë dhe të nostalgjisë. Nano e trupëzon këtë afeksion të së shkuarës dhe Rama, dihet, sa herë i është dashur ‘modernizuesi i së majtës shqiptare’ i ka shtrirë dorën. Kur nuk i ka hyrë në punë i ka dhënë munxët.

Evokimi i Nanos mund të detyrojë ndokënd të heqë edhe një paralele tjetër, që sheh nga ana tjetër e spektrit. Edhe Sali Berisha nemessis-i i Nanos, është thirrur në skenë së fundmi, edhe pse në kah të kundërt. Genc Ruli, një prej selektorëve të përzgjedhur nga Basha për të hartuar listat e kandidatëve për deputetë në PD, foli për nevojën e tërheqjes së Berishës. Ky i fundit iu pëgjigj me ironi se ai nuk sheh karrierë përpara, por betejë. Doktori, me siguri, e mbështet nevojën për betejë te dëshira që ka parë të demokratët për praninë e tij.

Së treti, Ramës i duhet të krijojë të paktën idenë e aleancave me shoqërinë, nëpërmjet edhe segmenteve politike apo sociale që rivijnë në skenë, qoftë edhe nëpërmjet reminishencave. Popujt, jo publikët, duke pasur kujtesë të shkurtër, tentojnë t’i romanticizojnë edhe të shkuarat më të palavdishme apo rastësore. Lëre më pastaj atë të Nanos, që ende perceptohet si liberale dhe ‘ku hanin të gjithë’.

Rama është në vetminë e ashpër të fundit të mandatit të dytë, ajri i rrallë i së cilës bëhet edhe më i pakët ngaqë shpurat e interesit nuhasin dendur me synimin për të kapur me erë se nga po anon pushteti dhe për të ndërruar krah.

Evokimi i Nanos dhe Berishës, si dy të shkuara, dy modele, dy nostalgji na tregon gjithashtu se ata janë edhe dy realitete politike. Të Ramës dhe Bashës, por po aq të Shqipërisë. Mund të thuhet se ende nuk kemi dalë, apo ende jemi në epokën Nano-Berisha.

A është kjo mirë a keq, a flet kjo mirë a keq për Ramën dhe Bashën, apo për vetë Shqipërinë dhe shoqërinë e saj…?