Te ‘Telegraf’ dita nis me vjedhje, gazeta shqiptare hap faqen e parë me lajmin e Politiko.al dhe fshin burimin

“Me ne dita nis ndryshe”, ky është slogani i gazetës ‘Telegraf’ që botohet në Shqipëri, por dita e djeshme për këtë gazetë ka nisur me vjedhje.

Drejtuesit e gazetës kanë hapur numrin e 30 marsit me lajmin “Kushti i Erdogan: Vizitë në Tiranë, nëse ikën kreu i KMSH”, një temë interesante, por jo aq  sa vjedhja ‘copy paste’ që kjo media i ka bërë lajmit të portalit Politiko.al.

Mbrëmjen e 28 marsit, Politiko.al publikoi lajmin ekskluziv “Erdogan refuzon të vizitojë Tiranën, i vendos kusht Ramës “kokën” e Skënder Bruçajt”. Burime brenda Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhanë informacione për portalin tonë për presionin që vjen nga Ankaraja, ndërkohë që një tendencë e tillë vihet re prej kohësh dhe është raportuar te ‘Politiko’.

‘Telegraf’ priti dy ditë për të marrë lajmin dhe duke e lidhur edhe me ngjarjet në Kosovë, ku u arrestuan gjashtë shtetas turq të akuzuar si bashkëpunëtor të Lëvizjes Gylen, e publikoi në faqen e parë pa cituar burimin.

“Megjithatë, shefi i shtetit turk mësohet se u ka paraqitur një kërkesë, në formë kushti, autoriteteve shqiptare. Burime diplomatike bënë të ditur se presidenti Erdogan dhe qeveria turke e shohin me pakënaqësi drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar nga Skënder Bruçaj, duke e cilësuar klerikun e njohur si pranë fondacionit “Gylen”, shkruhet në gazetën ‘Telegraf’, ndërkohë që gazetari nuk tregon se nga vjen ky informacion, por mjaftohet me “burime diplomatike”.

Në artikullin e kësaj gazete nuk ka asnjë informacion të ri nga ato që ne kemi publikuar, ndërkohë që shkrimi është modifikuar disi duke i kushtuar vëmendje punimeve për ndërtimin e xhamisë, ndonëse fokusi i raportimit ishte i ndryshëm.

Nuk është hera e parë që lajmet e ‘Politikos’ merren nga drejtuesit e gazetave të ndryshme dhe përdoren për të mbushur faqet e medias së tyre, por ky rast ku lajmi vidhet dhe me të hapet gazeta, përbën një ngjarje të paprecedentë, të paktën për portalin tonë.

Lajmi origjinal: Ekskluzive/ Erdogan refuzon të vizitojë Tiranën, i vendos kusht Ramës “kokën” e Skënder Bruçajt