Flash News

KRYESORE

Të udhëtosh ilegalisht drejt familjes e të mos i përqafosh dot, si e theva karantinën pas 40 ditësh

Të udhëtosh ilegalisht drejt familjes e të mos i përqafosh

Jeta nën arrest shtëpiak për shkak të COVID-19 ka sfidat e saj të dukshme logjistike për të gjitha familjet. Një valë e paparë e humbjes së vendit të punës do të thotë më pak ushqim dhe qindra shpenzime që secila familje ka, si dhe humbje të sigurimeve shëndetësore - sikur këtu tek ne në Shqipëri hynë shumë në punë xhanëm, por nejse - në momentin kur një sëmundje globale zbret.

Sistemi vullnetar i karantinës që shtetet po përdorin për të luftuar përhapjen e koronavirusit, mund të funksionojë vetëm nëse njerëzit e ndjekin atë. Pra, si mund të jenë të sigurt zyrtarët e shëndetit që njerëzit që pajtohen të vetë-karantinohen janë në shtëpi?

Dobësitë në sistem janë bërë të dukshme me pandeminë dhe karantinën por nejse nuk do flasim për politikë se e di që ua shpif njësoj si mua.

Unë kam nisur vetë-karantinën që me datën 9 mars, një ditë pas dy rasteve të para në Shqipëri (ende pa dalë asnjë vendim qeverie). Për fatin tonë të mirë – timin dhe kolegëve – drejtuesi ynë shprehu gjithë mirëkuptimin dhe na lejoi të punonim nga shtëpia.

Pas disa javësh të karantinuar, jo vetëm unë por njerëz në të gjithë botën u mësuan të punojnë nga shtëpia dhe u mësuan me këtë mënyrë të re jetese. Karantina dhe puna nga shtëpia nuk është gjithmonë e lehtë, kërkon shumë durim, vetë-motivim por dhe kushte që shpesh herë të mungojnë – ndoshta një kompjuter i mirë apo një internet i shpejtë (gjera që puna t`i ofron dhe shtëpia jo).

Mua më qëlloi që karantinën ta kaloj vetëm, por puna po më mbante më të angazhuar sesa kur shkoja në zyrë. Duhet të menaxhoja gjithçka online në të dyja punët dhe  takimet në ZOOM që ishin në disa orare të papërshtatshme. Ditët e karantinës në Tiranë ishin shumë të lodhshme sidomos vetëm.

Siç thoshte dhe Albert Kamy: “Një pyetje e rëndësishme që duhet të ketë përgjigje; a është e mundur që të jesh i lumtur he i vetmuar në të njëjtën kohë?”

Sigurisht që e gjitha kjo situatë rëndon në psikologjinë e secilit prej nesh por unë vendosa ta kaloja karantinën vetëm për të mbrojtur familjarët e mi, të cilët – siç e dimë për të gjithë në Shqipëri – vuajnë dhe nga një shqetësim tjetër shëndetësor, dhe kronavirusi mund të rezultonte fatal për ta.

Karantinën e respektova në mënyrë rigoroze dhe shumë strikte për 40 ditë – në Tiranë – blija vetëm dy herë në javë ushqime dhe kur dilja kisha marrë të gjitha masat për të shmangur çdo lloj rreziku. Kur kthehesha në shtëpi, bëja dizenfektim të thellë të gjithçkaje dhe sigurisht edhe dush.

Kjo rutinë po më lodhte, teksa shihja se si familjarët e mi – me shtëpi private dhe me oborr – dilnin të paktën sa për të marr ajër. Ata ngulmonin të shkoja tek ta por frika ime ishte më e madhe sesa dëshira e përbashkët.

Por, në ditën e 40 të karantinës, aplikova për leje që të udhëtoja drejt qytetit ku banon familja ime. Mjetin e transportit e kisha gjetur, por si njeri që respektoj gjithmonë rregullat “nuk ma mbante” të udhëtoja pa leje. Prita për përgjigje – ASGJË !

Telefonova policinë, as ata nuk më dhanë ndonjë zgjidhje. Kërkova ndihmën e kushërirës time që punon po ashtu në polici por asnjë përgjigje nuk mora nga ana institucionale.

Vendosa të nisëm pa leje. Nisja do bëhej në 04:00 të mëngjesit. Zbrita poshtë me valixhen time dhe tre vazo lulesh që kisha blerë për mamin. Poshtë pallatit pashë një makinë policie. Ishte e parkuar dhe e fikur. Eca pa kthyer kokën.

Nuk isha ndjerë kurrë në jetën time aq e frikësuar. Kisha frikë nga gjithçka, çdo lëvizje degësh a gjethesh. E dija që në ato kushte asgjë dhe askush s`mund të më ndihmonte – nëse larg qoftë mund të më ndodhte diçka. Shoferi - që ishte dhe kushëri i yni – po vononte të vinte dhe unë kisha hyrë në një gjendje ankthi.

Pas 20 minutash pritjeje, erdhi më në fund. (Nuk po jap detaje për llojin e transportit për të mos i nxjerrë asnjë problem kompanisë).

Kisha të gjitha masat, sigurisht, por gjatë gjithë rrugës mendoja se do na ndalonte policia dhe unë do isha “hapu dhe të futem”  se nuk shquhem për ndonjë trime të madhe dhe as për dikë që di të dalë nga situata.

Fal Zotit, rruga shkoi pa asnjë problem. Policia ishte gjithandej rrugës, por asnjë nuk na ndaloi. Nuk bëra dot asnjë foto sepse isha gatë gjithë rrugës në ankth.  Ishte hera e parë që po bëja diçka të “jashtëligjshme” dhe ngjante kaq absurde që po bëja diçka ilegale, thjesht për të shkuar në shtëpinë time.

Dita e 41 e karantinës me gjeti në orën 07:00 të mëngjesit në shtëpinë time. Babi dhe mami më dolën para, nuk isha e zonja as t`u jepja dorën dhe as t`i përqafoja. Nuk kishte ndodhur kurrë që 11 vite që jetoja larg tyre. Ngjante shumë e çuditshme dhe e ashpër por ishte e vetmja mënyrë për t`i mbrojtur.

Me motrën nuk rezistuam dot, pas dy orësh e përqafuam – e kemi taçin e shtëpisë dhe është e pamundur të mos ngacmohemi – por e dinim që kjo do të thoshte se pas kësaj ajo s`do i afrohej prindërve.

Menjëherë të nesërmen, ngjita malin që ndodhet pranë zonës ku familja ime banon. Kam jetuar 18 vite në këtë qytet dhe nuk e kisha ngjitur kurrë. U bëmë katër veta –duke ruajtur distancën dhe çdo rregull, nuk mund t`i rrezikoja - dhe jemi argëtuar pafund. Terreni ishte shumë i vështirë, rrëshqitëm disa herë. Bëmë foto, hëngrëm dhe u frikësuam. Por ishte një super aventurë.

Unë kam vrapuar gjithmonë pas punës dhe karrierës dhe kisha harruar të gëzoja natyrën. Nuk shquhem për aftësi ngjitjesh por kam një energji të paparë të eksploroj kaq shumë bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Sot është Dita e 53-të e karantinës për mua, me shpresën që gjithçka do rregullohet së shpejti, mezi pres të rikthehem në punë. Të takoj miqtë dhe kolegët dhe t`i rikthemi rutinës edhe pse do na duhet të bashkëjetojmë me koronavirusin, derisa të dalë vaksina.

Qofshi të gjithë mirë!

[video width="848" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/politiko.al/uploads/2020/04/WhatsApp-Video-2020-04-30-at-16.20.16.mp4"][/video]

Politiko.al

Të fundit