All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Teatri nuk duhet prishur; megjithatë ai duhet ndërtuar

Teatri nuk duhet prishur; megjithatë ai duhet ndërtuar
All - Paragraf - 1

Alfred Lela

All - Paragraf - 3

Mbrëmë regjisorja Driada Dervishi dhe një grup aktorësh, të rinj dhe veteranë, vunë në skenë komedinë ‘Një shfaqje e shkuar mbrapsht’. Teatri Kombëtar, prej disa muajsh është kthyer në një implikim shoqëror dhe politik. Afërmendsh, sa kohë që mban cilësorin Kombëtar.

Shumë gjëra kanë shkuar mbrapsht me shpërfaqjen e këtij institucioni të artit kombëtar pas rënies së komunizmit. Barra e dikurshme, që durohej, e rëndë dhe e padrejtë, në emër të censurës, artit popullor, socrealizmit, vijës së masave, direktivave të Partisë dhe të shokut Enver, pas viteve ’90 ndërroi ‘tentakula’. Tani, Teatri Kombëtar kërcënohet nga babëzia.

Një lakmi, aq bukur e simbolizuar në filmin e Oliver Stone ‘Wall Street’ me fjalët e Gordon Gekko-s (Michale Douglas) “Greed. For lack of a better term, greed is good (Lakmia. Në mungesë të një fjale më të përshtatshme, lakmia është e mirë).

Në këtë mejdan të parakapitalizmit futur thellë në paskomunizmin shqiptar, takohen edhe Gordon Gekkot dhe ‘sindikalistët’ e Tiranës, në përballjen skenike të një spektakli që deri më tash ka shkuar përpara po prodhuar zgjidhje. Kjo përplasje ndihej edhe në pjesën e mbrëmshme, një komedi angleze, ku ishin përshtatur batuta që përkisnin me kontekstin e ngjarjeve rreth Teatrit. Të tilla si ‘Borëbardha dhe 7 kullat’, dhe ndonjë tjetër.

Artistët kanë bërë rezistencën e tyre, të cilën ua lejon si dashuria ashtu dhe patosi i zanatit. Megjithatë, mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar të mbushur në kapacitet, nuk mund të mos prekje dhe ndjeje edhe patetikën e gjithë kësaj përballjeje. Te asgjë më shumë se mizerabiliteti i kushteve. Temperatura, në një sallë pa qarkullim ajri dhe pa ajër të kondicionuar, kapte 30 gradë. Radhët e ndenjëseve, ngjit-e-ngjit si në një avion të Ariana Airlines (e Afganistanit), janë një fakt i vjetër pa nevojë qëmtimi. Aktorët djersinin plumba të nxehtë ndërsa në plate ajri i nderë krijonte klaustrofobi.

Barrikadat e aktorëve, të shoqërisë civile, dashamirësve të teatrit, nuk po ngrihen për të mbrojtur këtë lloj status quo-je, afërmendsh. Qëllimi i tyre, më shumë se një afsh antikapitalist, shpresojmë të jetë tradita. Ajo arkitektonike dhe kulturore.

Një zgjidhje ama duhet gjetur për të tria, traditën, kapitalin dhe Teatrin. Po, Teatri nuk duhet shembur, e megjithatë ai duhet ndërtuar! Ngrehina italiane mund të jetë lëshuar qëllimisht në duart e degjenerimit, në mënyrë që lehtësia për ta ‘dorëzuar’ të jetë pragmatiste. Ish-ministri i Kulturës, tashmë Kryeministër, e ka patur të vjetërnjë padurim për ndërtesën dhe aktorët. Nëse tani ai mundet edhe ta aksesorizojë me disa kulla, e gjitha përfundon si ‘një shfaqje e shkuar për së mbari’.

Për të dhe Gekkot e Tiranës, jo për Teatrin.

Të fundit