Tender favorizues ndaj Serbisë, reagon ashpër Haradinaj: Po identifikojmë personat përgjegjës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër për tenderin favorizues të Agjencia Qendrore e Prokurimit ndaj mallrave të Serbisë.

Përmes 23.5 milionë eurove, AQP kërkon të blejë prodhime të Serbisë për të furnizuar disa institucione, në një kohë kur qeveria e Kosovës ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paralajmëron masa ndaj zyrtarëve që shpallën tender për produktet serbe.

“Sot, në media jam njoftuar për tenderin e shpallur nga AQP, e që mund të jetë në kundërshtim me ligjet e prokurimit publik. Tashmë kemi kontaktuar institucionet përgjegjëse dhe jemi në pritje të qartësimit të problemit dhe identifikimit të personave përgjegjës, ndaj të cilëve do të nisin menjëherë procedurat në përputhje me ligjet në fuqi”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e ka konsideruar të papranueshëm veprimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, që përmes një tenderi publik, favorizon produktet serbe e jo ato vendore.