Tenderi për shumëfishimin e lojës “Mos u nxeh”, reagon Qendra e Botimeve për Diasporën: Është pjesë e koleksionit të hartuar nga një OJF

Së fundmi, në media qarkulloi një informacion se Qendra e Botimeve për Diasporën shpalli “Ftesën për ofertë”, për printimin e plot 2,000 lojërave “Mos u nxeh”, së bashku me kopsat dhe zaret në 4 qytete të vendit: Tiranë, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër.

Pas publikimit në disa media, Qendra e Botimeve për Diasporën reagoi duke hedhur poshtë një fakt të tillë e duke sqaruar se Loja “Mos u nxeh” është pjesë e koleksionit me mjete didaktike të hartuara nga Organizata jofitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, dhe bën pjesë në koleksionin “E ka kush e ka”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit kombëtar “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”.

“Ky koleksion synon, që nëpërmjet një serie libërthash dhe lojërash, të përfshijë fëmijë dhe të rritur në zbulimin dhe rizbulimin e trashëgimisë kulturore, si një urë lidhëse me botën që na rrethon. Koleksioni përfshin lojën “Mos u nxeh”, përmes së cilës jepet informacion mbi gjuhën, trashëgiminë kulturore, gjeografinë dhe historinë e qyteteve kryesore të Shqipërisë.

– Koleksioni është hartuar me specialistë të trashëgimisë kulturore dhe në bashkëpunim me institucionet kulturore në vend.

– Koleksioni “Mos u nxeh” është shpallur në vitin 2018 fitues i konkursit “Historitë Evropiane të Trashëgimisë”, organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian.

Hapat institucionalë të ndjekur për realizimin e projektit:

– Propozimi dhe miratimi i shumëfishimit të lojës nga Këshilli Koordinues i Botimeve;

– Të drejtat e botimit janë ofruar falas nga Organizata jofitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa kufij” përmes një memorandum bashkëpunimi;

– QBD-ja në përputhje me të gjitha procedurat ligjore ka hedhur në tenderim shumëfishimin e mjetit didaktik, me qëllim mundësimin e tij për t’u shpërndarë në shkollat në diasporë;

Në zbatim të misionit të saj QBD-ja boton dhe siguron tekste mësimore dhe literaturës shtesë për diasporën me miratimin e Këshillit të Botimeve për Diasporën, i cili është organ kolegjial vendimmarrës i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit  dhe Rinisë, të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme”, sqaron QBD-ja.

Më herët, pati reaguar me ironi edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko përmes rrjeteve sociale ku sqaronte se Ministria e Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet të merret me tendera.