Tërhiqet Holanda? Ministri i Jashtëm: Shpresojmë që Shqipëria të nisë sot negociatat me BE

Qeveria e Holandës ka dhënë sinjale të forta se mund të jetë tërhequr nga bllokimi i hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, raporton Politiko.al.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok ka folur për gazetarët përpara mbledhjes së Këshillit të Punëve të Përgjithshme, ku ka theksuar se shpreson se sot do të jetë dita kur Shqipëria dhe Maqedonia do të marrin miratimin për hapjen e negociatave. Gjithsesi, Blok është shprehur se Holanda pret më shumë qëndrueshmëri në realizimin e reformave nga dy shtetet ballkanike.

“Të dyja vendet kanë bërë progres, progres të rëndësishëm në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, por në të njëjtën kohë nuk janë atje ku duhet. Secili vend ka arritjet e tij, por është shumë e rëndësishme që këto shtete tregojnë performancë pozitive në këto fusha. Ne shpresojmë që sot do të jetë dita që të dyja vendet të nisin negociatat, por është e rëndësishme që ato të tregojnë qëndrueshmëri në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi ministri Blok.

Ministri holandez nuk dha garanci nëse do të jepet sot drita jeshile për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi për këtë duhet të shprehen të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Pas tërheqjes së Holandës, Franca mbetet shteti i fundit që kërcënon Tiranën me veto.