Flash News

KRYESORE

Tërhiqet Tirana, heq barrierat për patatet nga Kosova

Tërhiqet Tirana, heq barrierat për patatet nga Kosova

Shqipëria nuk do të zbatojë vendimet e marra ditë më parë për prodhuesit e patates nga Kosova, bënë të ditur sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ministri Memli Krasniqi, i cili prej disa ditësh ka qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Shqipëri për të eliminuar këto barriera, tha se që nga sot prodhuesit e patates mund të eksportojnë prodhimet e tyre drejt Shqipërisë pa llogaritjen e çmimit referent të përcaktuar më herët nga autoritetet në Shqipëri.

“Kemi marrë një sqarim të vendimit të Doganave të Shqipërisë, sipas të cilit nuk do të implementohet çmimi referent i paralajmëruar më parë dhe ne besojmë te ky përkushtim i qeverisë shqiptare, por edhe i organeve relevante që të vazhdohet me praktikën e kaluar, ku janë pranuar dokumentacionet e transaksioneve bankare ndërmjet eksportuesve nga Kosova dhe importuesve nga Shqipëria”, theksoi  Krasniqi.

Sipas tij, dy qeveritë vitet e fundit kanë dhënë shembuj jashtëzakonisht të mirë të bashkëpunimit veçanërisht në fushën e bujqësisë.

“Kosova ka qenë tregu ku Shqipëria në vazhdimësi i ka rritur eksportet e veta bujqësore, por ku edhe Kosova ka arritur që të ketë një rritje të ndjeshme të eksportit bujqësor në përgjithësi, duke përfshirë edhe Shqipërinë”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi shprehu vullnetin për një bashkëpunim të mëtejshëm deri te një unifikim i tregut, ashtu siç është dhënë zotimi edhe nga krerët e dy qeverive edhe në të kaluarën.

Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, lidhur me vendosjen e çmimit referent për pataten kosovare, u shpreh se “ka qenë një ndalesë e pa studiuar dhe e pamotivuar në asnjë mënyrë, as në planin ekonomik dhe as më gjerë. Kjo situatë e shkurtër ka penguar produktet e patates që të shkojnë drejt tregjeve të Shqipërisë”.

“Duke marrë shkas nga ky rast unë siguroj gjithë prodhuesit e patates nga Kosova se barrierat disa ditëshe në tregun shqiptar janë thyer dhe mendoj se sasitë e planifikuara nga prodhuesit e Kosovës për t’u eksportuar drejt Shqipërisë do të shkojnë me një intensitet më të madh gjatë këtyre ditëve. Të gjitha institucionet janë të interesuara që ky proces të vazhdoj me një ritëm më të lartë në mënyrë që mos të krijohet asnjë mungesë në të ardhurat e planifikuara të prodhuesve kosovarë të fushës së patates”, theksoi ambasadori Minxhozi.

Ministri Krasniqi dhe ambasadori Minxhozi shprehën gatishmërinë e tyre për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, në mënyrë që fenomenet e tilla si kjo të mos përsëriten më.

Të fundit