Tërmeti dhe tërmutët

Dritan Shano

Tërmeti është një dukuri natyrore, e cila mund të shkaktojë fatkeqësi njerëzore vetëm përmes “punës” së tërmutëve. Këta të fundit, njerëz vendimmarrës janë përgjegjës për çdo humbje njerëzore. Ata nuk mund të fshihen te posti që kanë, tek emocioni i fortë kombëtar duke thënë që kjo nuk është koha, dhe as te heshtja thuajse taktike e kujtdo tjetër. Kërkimi i përgjegjësisë te këta njerëz, për humbjen e jetës të 50 shqiptarëve, për plagosjen e disa qindrave të tjerëve dhe për shkatërrimin e pronës së tyre, nuk është kurrë herët të fillojë dhe konkretizohet nga sistemi i drejtësisë, nëse ai ekziston.

Defaktorizimi në kohë reale i minorancës qeverisëse

Për shkak të zhvlerësimit të votës dhe shkëputjes së saj prej marrjes dhe mbajtjes së pushtetit, prej vitesh tashmë – qysh prej 2008 – Qeveria shqiptare ekziston vetem de jure- ajo nuk është një mazhorancë, por një minorancë “qeverisëse”. Në mbi 84% të tyre, Shqiptarët e çdo moshe, qeveri de facto kanë atë, qeverinë e vendit ku duan te emigrojne, ose duan te azilohen. E megjithate, edhe pse ekziston vetëm de jure, ajo, qeveria shqiptare, ja ashtu de facto shqiptarëve të mbetur në Shqipëri. Në çdo formë e mënyrë. Nga taksat tek PPP. Por edhe te tërmeti. Në analog dhe dixhital! Kështuqë, logjika e imponuar tashme na thotë se duhet të themi: Poshtë tërmeti, rrnoftë qeveria!

Mirënjohja pa filtër

Sot, jemi te prekur, të pagojë dhe me lot në sy për këdo nga Kosova, e pse jo siç e lyp ndera edhe për deri te Serbia e Greqia, që erdhi dhe na nxorri trupat nga rrënojat, me njerëz, qen dhe teknologji përkatëse, kur ne s’kishim as planimetri dhe gërmonim me dorë. Me dorë! Sipas zakonit. Na gufon shpirti për vëllezërit në Kosovë dhe Maqedoni që ofrojne pa pushim lehtësim, shtëpi, shërbim dhe para për të dëmtuarit. Ne, si shqiptarë duhet t’u jemi mirënjohës me përulësi të gjithë dhuruesve që kanë premtuar se do japin miliona dollarë, dhjetëra miliona dollarë, dhe do ndërtojnë disa qindra apartmente, siç është rasti i Arabisë Saudite, Katarit apo Turqisë. Gjithashtu falenderues duhet t’i jemi Bashkimit Europian, i cili, në të mirë e në të keq, na ka dhuruar deri tani mbi 3 miliard EUR – pa llogaritur mbështetjen e vendeve anëtare veç e veç, të cilat me mjeshtëri, deri tani i kemi çuar dëm.

Kush dhuron nuk flet – si ndarje mes reklamës dhe dinjitetit

Mijëra shqiptarë heshturazi kanë dhuruar mjete, para dhe lehtësim për të dëmtuarit nga tërmetet. Askush nuk flet për ta, as ata nuk duan që goja e politikës, medias dhe individëve të paskrupullt të flasë për ta. Kam parë komente debile në facebook, që kërkojnë të dinë a ka dhuruar x apo y, dhe sa ka dhuruar. Pavarësisht nga ku vijnë, brenda apo jashtë Shqipërisë, dukshëm vijnë nga persona që nuk e njohin besimin dhe dashurinë mes njerëzve. Për një besimtar të krishterë, është thuajse urdhër që kur ndihmohen nevojtarët, dora e majtë nuk duhet ta dijë se çfarë bën dora e djathtë. Jam i bindur që edhe besimet e tjera udhëzojnë të njëjtën sjellje. Kuriozët, në rrugë a facebook mund të jenë çfarëdo, por në rastin më të mirë mungojnë në dinjitet dhe besim.

Dy anët e një medaljeje

Më është bërë e qartë se shqiptarët, individualisht mbijetues, nuk e prodhojne dot derimëtash një shtet funksional, kurse kosovarët e kanë prodhuar një shtet që ta kemi zili. Edhe pse individi shqiptar mund të shfaqet më perëndimor, mê demokratik, që kërkon meritokraci si element të avancimit social, në momentin e aksionin kolektiv ai prodhon një qeverisje ineficiente, autoritariste dhe oligarkike. E kundërta më duket se ndodh në Kosovë. Provë për këtë kam zgjedhjet politike atje, dhe foton e karvanit të makinave në rrugën e Kombit, të organizuar, që janë nisur diku, ku e dinë se çfarë do bëjnë. Foto që sa herë e shoh më rrjedhin lot! Ndoshta Kosovarët nuk janë individët që dua, por me siguri matematike 1, midis shqiptarësh, ata janë Shteti që dua!!!