Flash News

KRYESORE

Tërmeti i mutit

Tërmeti i mutit

Alfred Lela

Brigjet shqiptare, në të cilat rrahin ujra që s'janë tonat (sepse ujrat nuk janë kurrë të njëjtat, siç ka thënë Herakliti), janë shumë të bukura. Më të bukura se të Greqisë, Turqisë dhe Italisë bashkë. Aq të bukura, sa as tërmetet nuk guxojnë t'i godasin.

Siç nuk i preku as tërmeti i para pak ditëve, që i shtiu frikën në palcë ishullit Kos në Greqi, dhe brigjeve turke përballë. Tek shihje lebetinë e njerëzve; panikun për t'u larguar nga paniku; pritjet e gjata nëpër aeroporte; zdërhalljet e turistëve nëpër lulishtet apo sheshpushimet e aeroporteve; përveç keqardhjes, kapeshe edhe në një ndjenjë lehtësimi.

Çfarë do u bënte brigjeve tona një tërmet hukubet si ai!

Ne nuk kemi as aeroporte, as rrugë evakuuimi dhe as strategji. Në vend të infrastrukturës njerëzore dhe logjike, kemi një inshallah të madh që na ruan nga dita e ububusë.

Por prit, se ne ndoshta nuk e meritojmë një tërmet. Jo në atë formën klasike të shkundullimës mitologjike të tokës, drithërimës që vjen thellë nga zemra ktonike e të gjitha kohrave gjeologjike dhe tektonike.

Brigjet tona, e patë të gjithë, i përfshiu një përmbytje tjetër. Aspak biblike. Aq më pak e lavdishme.

Një tërmet muti.

Kjo e zezë e gjeti Ksamilin. Një breg të bukur, bekuar me ujra të kristalta. Por, le ta themi si burrat: Ksamili e meritonte atë tërmet muti. Për atë tërmet muti, Ksamili (si gjithë Shqipëria) punon ditë e natë, që prej vitit 1992. Ksamili nuk mund të mbillte mut e të mblidhte trëndafila.

Në vërshimin e asaj mutsihaneje, ju nuk patë vetëm botën e nëndheshme të fekaleve, të pëgërave të bashktdhetarëve tanë dhe të turistëve të huaj. Jo! Çka u derdh në rrugë është historia jonë e tranzicionit. Koracuar hollë dhe varakuar trashë, edhe me neomitin e Rilindjes Urbane, thelbi i të cilit është 'duka është gjithçka dhe brendia pakçka'.

Mbi atë lumë muti që derdhej në det [ia arritëm edhe kësaj, t'i hedhim detit Jon një lumë muti-nëse mitologjia greke ka lumin Stiks ne kemi lumin Stinks (nga anglishtja: kutërbon)], dallohej qartë poshtërsia  e 'njeriut të ri shqiptar'. Babëzia dhe të bërit sikur. Të bëjmë sikur po ndërtojmë një kolektor ujrash të zeza, bashkë me kanalizmet, dhe, të shtyrë prej babëzisë, të shkëpusim një copë këtu e një copë atje, për të ndërtuar me to vilat shumëkatëshe. Ku lulëzon kitsch-i dhe bërtet e shkuara jonë, mbyllur në apartamente enveriste ku dreka gatuhej në banjë.

Ai mut na ndjek prapë e pafund.

Hani mut, pra.

Eshtë muti juaj.

Eshtë e vetmja gjë që prodhohet në vend. Edhe pse përbërësit e kësaj mutnaje janë të gjithë të importuar.

I kemi brigjet e bukura. I kemi dhjerë pafund: Me ndërtime, keqkuptime, zaptime, përdhunime, shtime e premtime (të pambajtura kurrë). Meqë brigjet na lagen nga ujra për të cilët nuk jemi të sigurt se janë tanët, i dhjesim me mut.

Shqiptari i shkretë: në fillim dhiste në det dhe i kthehej në breg. Tani dhjet në breg dhe i derdhet në det.

Punë muti, apo jo?!

Të fundit