Tërmeti/ Thirrja e Erdoganit: Ta ndihmojmë Shqipërinë me vepra, fjalët fluturojnë (video)

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan u bëri thirrje shteteve pjesëmarrëse në Konferencën Islamike që të bashkohen, e ta ndihmojnë Shqipërinë, që u godit pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama postoi në profilin tij në Facebook, fjalimin e kreut të shtetit turk, që e bëri të qartë se Turqia do të bëjë aq sa të mundet për të ndihmuar Shqipërinë pas pasojave të tërmetit.

“Konferenca Islamike ka 50 anëtarë. Ne po të kapemi dorë për dore, po të bashkojmë fuqitë, nuk ka rëndësi sasia, shumë apo pak, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë. Kuptohet që dëshirat janë të mira. Por dëshirat po të mbeten vetëm fjalë fluturojnë. Mjalti po nuk hyri në gojë, nuk ëmbëlsohet goja. Ky mjaltë duhet ngrënë, ose ta ndajmë edhe me vëllezërit tanë këtë mjaltë.

Ne këtë duhet të bëjmë, të ndajmë mjaltin së bashku.”, tha Erdogan, i cili shtoi se në Turqi kanë përjetuar shkatërrimin e tërmeteve dhe e dinë mirë se çfarë do të thotë të goditesh nga ky fenomen natyror.

Ai shton se shpreson që Rama të marrë përgjigje pas kërkesave për ndihmë të bëra, ndërsa shton se Turqia do të bëjë detyrën e saj, porse kjo nuk mjafton.