Flash News

OP-ED

Termi

Termi

nga Mimoza Ahmeti

Ai ishte dyqani më i hershëm i kryeqytetit. Quhej TERMI.

Aty shkoja thuajse përditë të blija terma, në moshën e adoleshencës, me të cilat vishja shpirtin, dhe pastaj dilja.

Kisha kohë pa vajtur atje, nga rutina e ditëve.

Arrita. Isha ngritur majë një palë takave të kuqe, të cilat, siç thotë fjalori i ëndrrave, simbolizojnë arritjen e qëllimit.

Shitësi dukej i përhitur, e kishte përthithur gjithë kohën.

–Më jepni një term, ju lutem!

–Ekstravagancë, – tha ai.

–Më bie i gjerë, një tjetër, – i thashë.

–Strikt, – tha ai.

–Më bie i ngushtë, – i thashë e pakënaqur.

–Zgjidhni vetë, – tha ai.

I pashë termat e varura në kremastaret e nocioneve. Një nga një! Nuk më pëlqeu asnjëri.

– Nuk keni marrë furnizim të ri?

–I ri është, – tha ai, – para një jave erdhi.

–Po ky T-shirt metalik? – pyeta e çuditur!

–Është një këmishë lufte e kohës së Skënderbeut, për dekor, nuk shitet.

–Kuptoj, – ia bëra. Gjithë ky mall më duket kaq i shëmtuar!

–Normal, zonjë, që kur rrobaqepësitë e Europës u transferuan të gjitha në Azi, mos prisni më terma të prerjeve të përsosura, domethënë klasike. Thjesht mbulojeni shpirtin me diçka!

–Talleni? – ia bëra e indinjuar dhe dola nga dyqani.

Të nesërmen vendosa të kthehem e të marr ndonjë term çfarëdo, sa për t’ia hedhur shpirtit përsipër, pasi edhe koha po ftohej…

Por kur arrita te TERMI, qepeni ishte ulur, mbi të qe shkruar me kapitale: JEPET ME QIRA!

Të fundit