Flash News

KRYESORE

Thaçi: 4 Korriku, festë për tërë botën liridashëse

Thaçi: 4 Korriku, festë për tërë botën

Liderët e Kosovës, Presidenti i Hashim Thaçi, kryetari i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, si dhe figura të tjera politike në Kosovë kanë uruar SHBA në Ditën e tyte të Pavarësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut, ditës së pavarësisë së SHBA-së.

Ai tha se dita e sotme, 4 Korriku, është festë për tërë botën liridashëse, sepse përfaqëson ditën kur ngadhënjeu aspirata për liri e barazi dhe ëndrra për një botë të re, ku secili gëzon lirinë e mendimit, të shprehurit, të kërkimit të prosperitetit dhe të lumturisë në një ekonomi të lirë dhe shoqëri liberale.

“Kjo aspiratë na bashkon me SHBA-në sot, nesër dhe përgjithmonë. Por, edhe na obligon që t'i mbrojmë dhe promovojmë këto vlera, kudo e kurdo, në shtëpitë dhe shoqërinë tonë, duke i bërë themele të Kosovës që duam ne. Gëzuar popullit mik amerikan Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe lideri i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka uruar për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Ai thotë se populli i Kosovës u është përherë mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-së për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të gjitha përpjekjet tona për shtet dhe dinjitet kombëtar e qytetar.

“Me rastin e 241 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e veçantë të përcjell urimet më të ngrohta e të përzemërta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin mik amerikan, Ambasadën e SHBA-së në Republikën e Kosovës, amerikanët me mision në Kosovë dhe paqeruajtësit në radhët e KFOR-it”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tha se SHBA-ja është vendi ynë mik dhe partneri kryesor strategjik në ruajtjen e paqes dhe lirisë, konsolidimit demokratik dhe zhvillimit të Kosovës.

“Sot ndjehemi krenarë që jemi rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara. Sot festojmë edhe ne krah për krah me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

 

Të fundit