Thaçi flet pas intervistës 4-ditore në Hagë: Historia nuk rishkruhet, detyra ime është të mbroj Kosovën

Hashim Thaci

Pas intervistës 4-ditore në Hagë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka garantuar se cilado qoftë rrjedha e procesit të tij në Hagë, historia e Kosovës nuk preket apo rishkruhet.

Ai u shpreh se procesi i tij është në vazhdën e përbaltjes dhe akuzave ndaj UÇK-së që ka një rol të patjetërsueshëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës.

“Historia nuk mund të rishkruhet nga askush. Ju them që ky proces nuk mund të rishkruajë këtë histori, sepse është vulosur me gjakun dhe sakrificën e një populli me liri. Cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja, historia e fitimit mbi një pushtues do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush.

Ky procesi i radhës është në vazhdën e shpifjeve dhe akuzave ndaj UÇK. Por ky proces do vulosë rolin historik të UÇK-së si një rol i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këto përbuzje ndaj Kosovës e shqiptarëve, represioni deri në masa gjenocidiale, do të jetë një nga faqet më të errëta që nuk do rishkruhet në Kosovë.

Unë që pata rol në shtetformimim e Kosovës, ndjehem më fort i sigurt për sakrificën personale për zbardhjen e kësaj historie 22-vjeçare.

“Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën”, tha ai.