Flash News

KRYESORE

Thellohet përplasja, 4 shtete ndërpresin marrëdhëniet me Katarin; kriza më e madhe që prej Luftës së Gjirit

Në Gjirin Arabik është thelluar kriza më e madhe që prej kohës kur Iraku pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, çka i hapi më pas rrugën pushtimit nga SHBA.

Katër shtete kanë njoftuar se kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar këtë shtet për destabilizim të rajonit. Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë akuzuar Dohan se mbështet grupet terroriste përfshirë ISIS-in.

Ky vendim erdhi pas publikimit në media të disa komenteve provokuese nga Emiri i Katarit, sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, i cili raportohet të ketë thënë se “nuk ka asnjë arsye në armiqësinë e arabëve ndaj Iranit dhe marrëdhëniet (e Dohas) me Izraelin janë të mira”.

Ministria e Jashtme e Katarit i ka mohuar këto deklarata dhe ka akuzuar për pirateri.

Agjencia mediatike e lajmeve, Al Jazeera, e financuar nga Doha, është bllokuar nga fqinjët.

Katër këto shtete dhe Katari janë aleate të SHBA-së. Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka kërkuar nga palët që të gjejnë zgjidhje nëpërmjet dialogut për krizën ku janë përfshirë.

Thellimi i krizës mes Katarit dhe këtyre shteteve rrezikon të ketë impakt global. Të pesta vendet janë prodhuesit më të mëdhenj të naftës, pozicioni i tyre gjeografik ka një rëndësi strategjike në lëvizjen e naftës drejt Europës dhe SHBA-së, ndërkohë në vitin 2022 është planifikuar zhvillimi i Kupës së Botës në Katar. Në konflikt rrezikohet të përfshihen edhe tre shtete të tjera fqinje si Kuvajti, Irani dhe Omani, ndërsa Iraku dhe Jemeni ndodhen tashmë në konflikte disa vjeçare.

Të fundit