Thirrja e ambasadës amerikane: Aplikoni për të qenë shefi i BKH-së, shkruani historinë

Ambasada amerikanë në Tiranë u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të interesuar, që të aplikojnë për  pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas institucionit, në garë mund të marrin pjesë të gjithë ata që kanë integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse.

“Çdo person që plotëson kriteret minimale të përcaktuara nga ligji i SPAK, mund të aplikojë për këtë pozicion. Bëni përpara dhe aplikoni tani! Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë”, ishte mesazhi i ambasadës amerikane.

Ndërkohë, kur kanë mbetur dhe pak ditë nga mbyllja e garës për drejtimin e BKH-së, Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka publikuar emrat e konkurrentëve të deritanishëm që kanë paraqitur CV e tyre.

Në pesë emrat në listë, gjenden edhe ish-oficerë policie apo zyrtarë policie, si Ibrahim Disha, i cili ka  shërbyer për disa vite në polici dhe tanimë jeton në Kanada.

Zyrtar i policisë, Artan Shkëmbi është drejtues i njësisë Forca e Ligjit. Interes për të qenë në BKH ka shfaqur edhe shefi që kontrollon Policinë e Shtetit, Adriatik Ago, i cili kaloi vetingun.

Ka aplikuar edhe ish-oficeri i policisë, Gjovalin Ulndreaj, i cili ka shërbyer në polici deri në vitin 2003 dhe që prej këtij viti vazhdon të ushtrojë profesionin e avokatit në Shkodër.

Në listën e konkurrentëve gjendet edhe profesori Sabri Hoxha, i cili ushtron po ashtu profesionin e mjekut ligjor. Ai është diplomuar në mjekësi, inxhinieri dhe jurisprudencë.

SPAK ka bërë thirrje që konkurrentët të aplikojnë, ndërsa kanë afat deri në 30 janar.