Thirrja e Kadri Veselit në Hagë, Cakaj : Padrejtësi sistematike dhe e njëanshme ndaj UÇK-së

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar pas ftesës që ju bë nga Gjykata Speciale e Hagës kreut të PD në Kosovë, Kadri Veselit. Në Facebook, Cakaj shkruan se e gjitha është një padrejtësi sistematike ndaj UÇK-së  dhe Kosovës në përgjithësi.

Për Cakaj, ka një faktor thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe ai është adresimi i krimeve të Serbisë.

“Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë. Serbia ka dështuar tërësisht në adresimin e të kaluarës së saj kriminale dhe politikanët e paramilitarët e asaj kohe janë sot në krye të shtetit të Serbisë. Adresimi i krimeve të Serbisë është një prej faktorëve thelbësorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!”, shkruan ndër të tjera ministri Cakaj.